Kirurgu pranon se mori para nga pacientët

Kirurgu pranon se mori para nga pacientët

Kirurgu i Spitalit Rajonal të Ferizajt, tani i akuzuari për marrje ryshfeti Imri Vishi, gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij, deklaroi se pacientët me dëshirën e tyre, i kishin dhënë para të gatshme, si dhuratë për operimet që ai i kishte kryer me sukses.

Në seancën e së martës, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Vishi pohoi se disa pacientë, konkretisht të dëmtuarit në këtë rast Minushe Mani, Ajshe Hajdari, Arif Lika, Muharrem Bruti si dhe Elez e Hetem Ahmeti, me vullnetin e tyre i kishin lënë atij si dhuratë apo shpërblim, të holla për intervenimet kirurgjike që i kishin kryer tek ai.

Ndërkaq, mohoi që ndonjërit prej këtyre personave, t’u këtë kërkuar ndonjë përfitim material apo çfarëdo dhurate tjetër për punën që ai e kishte kryer si kirurg i Spitalit Rajonal të Ferizajt.

“Është në procedurë të punës dhe të shërbimeve se mund të bisedohet me pacient dhe me familjarë të tyre rreth sigurimit të ndonjë bari për pacientin e që nuk mund ta ketë spitali. Mirëpo, në asnjë mënyrë para kryerjes së operacionit, ose edhe pas përfundimit të operacionit as me pacient e as me ndonjë anëtarë të familjes së tyre nuk bisedoi për çështje materiale” deklaroi i akuzuari Vishi.

Mirëpo, sipas tij, dhënia e dhuratave nuk është e ndaluar dhe një gjë e tillë tha se është e rregulluar me një rregullore të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sipas njohurive që kam ekziston rregullorja e Ministrisë së Shëndetësisë që rregullon marrjen e dhuratave nga zyrtari – punëtori i shëndetësisë, dhe sipas kësaj rregullore zyrtari shëndetësor ka të drejtë të pranoj dhuratë edhe në vlerë monetare në shumë deri në 50 euro. Por nëse mjeku –punëtori i spitalit e ka pranuar këtë shumë e ka obligim që për këtë ta njoftoj drejtorinë e spitalit”, deklaroi kështu i akuzuari.

Ndërkaq, për katër rastet në fjalë, të cilat edhe janë parë në video incizime, në shqyrtimin e kaluar gjyqësor, që pacientët i kanë lënë dhuratë në para, ai tha se asnjërin rast nuk e ka paraqitur në drejtorinë e Spitalit të Ferizajt.

I njëjti, gjithashtu u pyet edhe rreth parave në vlerë prej 10,570 eurosh, të cilat i ishin gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e tij me rastin e kontrollit nga hetuesit policor.

Përkitazi me këtë shumë të parave, i akuzuari deklaroi se një pjesë prej rreth 8000 eurosh, kanë qenë para të cilat ia kishte huazuar mikut të tij, dhe ai ia kishte kthyer ato. Kurse, pjesa tjetër e të hollave, siç tha kanë qenë pjesë e kursimeve të tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, po ashtu dha deklaratën e tij edhe dëshmitari, njëherësh i dëmtuari në këtë rast, Hetem Ahmeti.

Ahmeti, ndër të tjera deklaroi se gjatë vitit 2014 kishte kryer një operim në spitalin e Ferizajt, ku këtë operim, ai tha se e kishte kryer tani i akuzuari apo siç e quante doktor Imriu.

Ky dëshmitar, ndonëse disa herë u ballafaqua me deklaratën e tij të dhënë në polici, ku kishte deklaruar se tani të akuzuarit Vishi, i kishte dhënë para në vlerë prej 200 eurosh, për operimin që e kishte kryer, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor ai mohoi se ka bërë një gjë të tillë.

I njëjti, tha se përveç që ka paguar për barërat që i janë nevojitur, para të tjera as nuk i kanë kërkuar e as ai vet nuk i ka dhuruar.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua të vazhdoj më 7 dhjetor 2017, në ora 09:00.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, po akuzon tani të pandehurin Imri Vishi se në cilësi të personit zyrtar- kirurg në Repartin e Kirurgjisë, në Spitalin Rajonal të Ferizajt  në vazhdim ka pranuar dhuratë në para nga pacientët e tij.

I njëjti sipas aktit akuzues, pas kryerjes së operacioneve në repartin në fjalë, ku është i punësuar si kirurg dhe paguhet nga Ministria e Shëndetësisë, ka pranuar dhuratë 200 euro nga të dëmtuarit Minushe Mani dhe Hetem Ahmeti, 100 euro nga Muharrem Bruti dhe 50 euro nga Ajshe Hajdari. Në të njëjtin vend dhe po në të njëjtën cilësi i pandehuri kishte pranuar dhuratë 20 euro nga i dëmtuari Elez Ahmeti, për shkak të një kontrolle të rregullt pas operacionit që kishte kryer në vitin 2007.

Vishi, po ashtu akuzohet se nga data e pa vërtetuar deri më 25 mars 2017, në shtëpinë e tij në Ferizaj, ka mbajtur në posedim pa leje përkatëse dy pistoleta, me nga një karikator dhe katër fishekë të kalibrit 6.35 mm si dhe një granat dore e modelit F1.

Për këtë vepër penale, ndërkaq tani i pandehuri ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 15 maj 2017./BetimpërDrejtës.