fbpx

‘Kisha dashtë me ikë mrenda nate prej teje Shqipni, ani pse ende më ndezet gjaku si flamuri kur valëvitet’

‘Kisha dashtë me ikë mrenda nate prej teje Shqipni, ani pse ende më ndezet gjaku si flamuri kur valëvitet’

Kisha dashtë me ikë mrenda nate prej teje Shqipni. Ani pse ende më ndezet gjaku si flamuri kur valëvitet. Ani pse ende më rrënqethet trupi kur eci rrugëve tue kundrue dritat e ndezuna e flamujt e lagun e rrahun prej stuhisë.

Më dhemb shpirti krejt rinia mu dogj këtyne rrugicave pa krye. Këtyne anëve pa gaz. Veç sot je e kuqe gjak veç sot, nesër prapë kam me pa gri.

Me këta sy melankolik kam pa si të shkatërrune të gjithë pa mëshirë, i nisën të ritë. Me këta sy kam pa hiena me dorca lëkure, e dhambë të stërkequn tu u zgërdhi për gjymtyrët tueja.

Janë të pangimë pusht’ tetarët Shqipni. Rrugët tueja dynden me fëmi të vegjël që lypin për bukën e gojës, e këta pushtetarët trima numërojnë thasët me drogë. Ti nuk je siç kam andrru. Kurrë nuk ke me u ba. Të gjithë këta palço nuk kanë atdhe veç lekun Zot e nji vorr i pret.

Për ditë përcjell të fundit mik në dyert e botës dhe krejt e zhgënjyeme hesht. E nesër na duhet me qeshë vesh më vesh, me kërcy, me u vesh kuq e zi e me këndue për ty Shqipni. Unë s’mundem me e ba, ti nuk je për darsëm por një makth për çdo të ri pa prespektivë.

Ti je toka e namun, në duert e djajve që ende nuk ke mësue se trimat me flamur të sjellin liri. Prej të gjithëve liri. Unë të du pa parti Shqipni se ti nuk i përket as Edit as Lulit që nuk u rrit kurrë. Ti je e fmijve tanë që të varin në qafë si medaljon të shtrejtë dhe zhduken rrugëve të botës.

Kisha dashtë me ikë mrenda natës e prej dheut të huej me të uru Shqipni. Sot flamurin e përdhosin ata me buzët e tyne, që veç gurë hodhën për liri.

Sot shqiptarë ke me i pasë tanë por atdhetarë janë veç ata me gjak të vramë Shqipni.

Shkruan: Arjola Zadrima, poetet shqiptare.