Kjo është arsyeja banale që çoi në vrasjen e sotme dhe plagosjen e policit

Kjo është arsyeja banale që çoi në vrasjen e sotme dhe plagosjen e policit

Të tjera detaje janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Kavajën në orën 00:45 të së enjtes.

Viktima Dritan Haxholli kishte shkuar i armatosur me kallashnikov në banesën e gruas me iniciale M.Q. Për shkak se kjo e fundit nuk i hapte derën, Haxholli kishte përdorur anën e pasme të pallatit duke kaluar kangjellat dhe më pas ishte ngjitur në ballkonin e apartamentit në katin e dytë.

Pasi hyri në ballkon, Haxholli shkatërroi grilat e derës dhe hyri me forcë brenda banesës. Aty u përball me efektivin e policisë së burgjeve Bledar Toçi. Mes tyre nisi debati që më pas degjeneroi në përdorimin e armëve. Ka qenë viktima Dritan Haxholli që qëlloi i pari me armë. Plumbi i kallashnikovit preku në qafë policin e burgut të Durrësit Bledar Toçi, duke e lënë të plagosur këtë të fundit. Në përpjekje për t’u vetëmbrojtur, polici i burgjeve u kundërpërgjigj me armë duke lënë të vdekur në vend me 4 plumba Dritan Haxhollin.

Në banesë në momentin kur ndodhi ngjarja kanë qenë edhe dy fqinjë të gruas M.Q., e cila i kishte thërritur për ndihmë, njësoj sikurse veproi edhe me mikun e saj polic të burgjeve. Për shkak se ish i dashuri Dritan Haxholli nuk pranonte ndarjen me të, ajo ndihej e frikësuar dhe kishte thërritur tre miqtë për ndihmë, pasi viktima e kishte telefonuar dhe i kishte thënë se do t’i shkonte në banesë.

Gjatë dëshmisë në polici, gruaja M.Q. ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Sipas saj, gjithçka ka ndodhur brenda pak minutave. Polici i burgjeve Bledar Toçi i kishte thënë gruas se nuk duhej ta ftonte në banesë ish të dashurin Haxholli, por ajo ishte përgjigjur duke u shprehur se viktima kishte shkuar në banesë i paftuar.

Mësohet se gruaja në fjalë është e martuar dhe bashkëshorti i saj jeton në Gjermani prej kohësh, kurse ajo banon në Kavajë. Ish i dashuri Dritan Haxholli nuk pranonte ndarjen me të dhe e telefononte vazhdimisht. Ndërkohë, bëhet me dije se viktima është person me precedent të mëparshëm penal dhe ka qenë i dënuar për krime kundër personit. /tvklan.al