Kjo është gjendja e pesë të infektuarve me koronavirus në Fushë Kosovë

Kjo është gjendja e pesë të infektuarve me koronavirus në Fushë Kosovë

Zëdhënësi i Komunës së Fushë Kosovës, Ali Topalli, ka bërë të ditur se pesë rastet e infektuara me koronavirus në këtë komunë, janë në gjendje stabile dhe se nuk kanë shenja për përkeqësim, derisa ka theksuar se kjo komunë është pajisur me të gjitha masat e nevojshme të cilat ndihmojnë në mirë menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19.

Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se nuk ka raste të dyshuara për infektim nga koronavirusit, ndërsa i lut qytetarët të vazhdojnë me respektimin e rregullave të MSH-së.

“Ne kemi të identifikuara 5 raste në komunën e Fushë Kosovës, gjendja shëndetësore e të cilëve është e mirë, stabile dhe nuk ka shenja për përkeqësimin e gjendjes së tyre dhe sigurisht janë në mbikëqyrje dhe në monitorim të plotë të përkujdesjes që ata duhet ta kenë…Të dyshuara nuk kemi sepse të gjitha mostrat merren nga Instituti kombëtar i shëndetit publik dhe ata i bëjnë publike këto pastaj informohemi ne si shtab emergjent i Fushë Kosovës dhe gjithë herë duke e përfshirë edhe qendrën kryesore të mjekësisë familjare”, thotë Topalli.

Pavarësisht frikës së krijuar te qytetarët se mund të ketë mungesa të artikujve ushqimorë gjatë pandemisë me COVID-19, ai thotë se po i furnizojnë vazhdimisht familjet e të prekurve me këtë virus, duke mos lënë anash familjet skamnore.

“Aktualisht jemi mirë të furnizuar, kemi të gjitha pajisjet do të thotë kemi gjithçka që nevojitet për mbrojtjen e tyre shëndetësore, janë të furnizuar me ushqim pa ndërprerë, pra nuk kanë nevojë dhe asnj ë breng që të ndihen keq për mungesë të ushqimit. Sigurisht ne kemi rezervat tona, jemi duke punuar, kemi shërbimet tona që janë vazhdimisht pran atyre familjeve të prekura por edhe atyre skamnorëve të cilët në këto situata përballen me vështirësi të furnizimit, andaj gjithçka është e monitoruar dhe kontrolluar”, deklaroi ai.

Ndër të tjerash ai deklaroi se qytetarët e komunës së Fushë Kosovës po i respektojnë rregullat e MSH-së për qarkullim.

“Informacionet që kemi nga Policia e Fushë Kosovës dhe shtabi emergjent, qytetarët po i përgjigjën këtij orari tani të ri që është dhe daljet janë vetëm sipas udhëzimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht nga qeveria e Republikës Kosovës”, bëri të ditur Topalli.

Kujtojmë se në komunën e Fushë Kosovës, aktualisht janë 5 raste të infektuara me COVID-19.