Kjo është gruaja e zhdukur në Kaçanik – vëllai i saj rrëfehet për Insajderin

Kjo është gruaja e zhdukur në Kaçanik – vëllai i saj rrëfehet për Insajderin

Gjejlane Rrahmani nga fshati Begracë i komunës së Kaçanikut ka dy ditë që është dalë nga shtëpia. Familjarët thonë se dikush i ka lajmëruar ata dhe u ka treguar se e kanë parë në fshatin Shtagovë të Kaçanikut, por megjithkëtë ende nuk kanë arritur ta gjejnë.

Insajderi ka kontaktuar sot me Fejzë Rrahmanin, vëllain e Gjejlane Rrahmanit. Ai i ka thënë gazetës se nuk kanë asnjë dyshim ku mund të ndodhet ajo, për shkak se “asnjëherë më parë nuk është larguar nga shtëpia në të njëjtën mënyrë”.

“Ajo ka dalë prej shtëpisë pardje [të dielën], por ne nuk e kemi ditur deri në mbrëmje se ajo ka dalur prej shtëpisë. Në mbrëmje e kemi parë që nuk po kthehet dhe e kemi lajmëru edhe policinë”, rrëfen vëllai i të zhdukurës. “Krejt të afërmit na kanë telefonu dhe na kanë pyetur edhe neve por nuk e dinë asgjë as ata”.

Fejzë Rrahmani ka treguar t’i ketë lajmëruar dikush për vendndodhjen e saj të hënën, por pavarësisht kësaj ende nuk kanë arritur ta gjejnë motrën e tyre.

“Dje dikush e kish parë në Shtagovë, tek treni në Shtagovë, e na ishim atje por nuk e gjetëm. Edhe pse ecëm nëpër hekurudhë por nuk e gjetëm”, thotë Rrahmani.

Ai tregon se motra e tij ka probleme mendore dhe se ka vështirësi në komunikim.

“Ajo është e sëmurë mendërisht: del ec, flet, por me fol nuk flet mirë edhe nëse e pyt ‘e kahit je?’, ajo nuk di të përgjigjet – veç na e kuptojmë”, ka thënë ai.

Insajderi ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Agim Gashin, i cili ka thënë se njësitet policore janë duke bërë kërkime për ta gjetur Gjejlane Rrahmanin.

“Rasti është raportu dje në mbrëmje, por ende nuk është gjetur e zhdukura”, ka thënë Gashi. /Insajderi.com