Kjo është mirëseardhja që Kosova po u bën mërgimtarëve

Kjo është mirëseardhja që Kosova po u bën mërgimtarëve

Një program me moton “Mirë se vini Diasporë”, u organizua nga një OJQ, e cila merret me punimin e veshjeve tradicionale nga grat kryefamiljare.

Ky ishte festivali për mikpritjen e mërgimtarëve që u organizua nga kjo organizatë, që punën më të madhe e kanë gjatë sezonit të verës kur edhe vinë mërgimtarët.

E megjithëse festa mirëseardhëse për mërgimtarët ishte javën e kaluar, në pikën shitëse të artizanalëve, thonë se në krahasim me periudhën e njëjtë të viteve të kaluar, këtë vit vërehet mungesa e mërgimtarëve ne Prishtinë.

Ndërkohë, të hënën, në komunën e Vushtrrisë kanë nisur Ditët e Diasporës. Nga sot e deri më 29 korrik, ky institucion lokal do të organizojë ngjarje të shumta, për nder të bashkatdhetarëve.

Gjatë këtyre ditëve, do të ketë ekspozita, filma, orë letrarë e muzikë, në Kalanë e qytetit, dhe aktivitete me karakter sportiv e argëtues, si streetball e pingpong, në sheshin kryesor të qytetit, përcjell televzioni publik.

“Ditët e diasporës – Ju jeni pjesë e atdheut”, përmbyllen me një koncert të madh me valle, në Bajgorë.

Këto aktivitete janë bërë tradicionale, pasi komuna e Vushtrrisë ka disa vite që i organizon ato, gjatë verës,

Në kuadër të Muajit të Mërgatës, nën organizimin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan dhe klubit alpin “Gjilani”, të dielën është mbajtur aktiviteti “Ecja e alpinistëve”.

Sipas kumtesës për media, nisja e alpinistëve është bërë nga qendra e qytetit, ka vazhduar për në Llovcë, për të përfunduar në pikën finale te Kalaja e Pogragjes.

Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Shpresë Hajdari, është ndarë shumë e kënaqur me mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndërkaq ka informuar se mëse 300 bashkatdhetarë i janë bashkangjitur “Ecjes së alpinistëve”.

Nën patronatin e kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari është duke u mbajtur manifestimi kulturor “Diaspora 2018”. Sofra drenicase është shtruar për diasporën.

Në kuadër të manifestimit ku veç ushqimeve tradicionale, do të ketë këngë të kënduara nga rapsodët.