Kjo prokurore po i ndjek penalisht protagonistët e aferës “Dosja e Shefave”

Kjo prokurore po i ndjek penalisht protagonistët e aferës “Dosja e Shefave”

Prokurorja Drita Hajdari, disa vjet pas rrjedhjes në publik të përgjimeve të publikuara nga Gazeta Online Insajderi, dhe të njohura si “Pronto” ka arritur të ndjek penalisht 11 zyrtarë dhe persona të afërt me PDK’në. Ajo, të premten, ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-shefave të grupit parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci dhe Zenun Pajaziti. Po ashtu, në mesin e 11 të akuzuarve janë edhe Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, Fatmri Shurdhaj, Njazi Kryeziu dhe zyrtarë tjerë të PDK’së.

Adem Grabovci, që veten e quante shef i shefave, në një nga përgjimet “Pronto”, do të ulet shumë shpejtë në bankën e të akuzuarve në Gjykatë. Kjo, pasi Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ti dhe 10 zyrtarëve e njerëzve të afërt të PDK’së për punësime me nepotizëm, raporton Gazeta Express

Bashkë me Grabovcin, në të njëjtën aktakuzë përfshihet edhe Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, sikurse edhe deputeti aktual i PDK’së Zenun Pajaziti dhe zyrtarët tjerë Fatmir Shurdhaj, Njazi Kryeziu, etj.

Pjesë e aktakuzës janë edhe Ilhami Gashi, Sedat Gashi dhe Arbenita Pajaziti dhe Xhavit Dakaj.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.  Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z.P., dy ish Sekretar të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit N.K. dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P”, ka njoftuar të premten Prokuroria Speciale.

Aktakuza është ngritur nga prokurorja speciale Drita Hajdari, e cila deri më tash është njohur për ndjekje penale të njerëzve të pushtetshëm, si në rastin e Fatmir Limajt për krime lufte, raporton Gazeta Express.

Prokurorja Hajdari kishte ndjekur penalisht edhe ish-ministrat Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri.

Vepra penale për të cilën prokuroja speciale po akuzon disa nga protagonistët e aferës “Pronto” është “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.

Disa prej veprave kanë mbetur në tentativë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Afera “Pronto” ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës