Klinaku akuzon VV-në, PDK-në e LDK-në për populizëm

Klinaku akuzon VV-në, PDK-në e LDK-në për populizëm

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), Faton Klinaku, ka thënë se paga e veteranit do të rritet automatikisht pas rritjes së pagës minimale në Kosovë.

Në një prononcim për Gazetën Online Insajderi, ai ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës “se janë duke bërë populizëm për këtë temë” ndërsa sipas tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është duke heshtur.

Ai më tej tha se ligji ndryshohet vetëm kur të bëhet kategorizimi i veteranëve e që sipas tij” pensioni i veteranit rritet me rritjen e pagës minimale”.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ai ka zbuluar një paradoks nga ish-Qeveria e vitit 2017, e cila sipas tij ka shfuqizuar nenin 18 të Ligjit për veteranët që thirret në pagën minimale.

Ministri Murati lë të kuptohet se nuk do të ketë rritje të këtyre pensioneve në kuadër të rritjes së pagës minimale.

“Është e çuditshme se si këta dy ish-ministra, njëri nga PDK-ja dhe tjetri nga LDK, mos ta kenë informatën se cilat ligje janë në fuqi dhe cilat nene janë në fuqi e cilat jo. Madje, ku kanë qenë në qeveri, bashkë në koalicion e kanë shfuqizuar po atë nen i cili thirret në pagën minimale për pagesat për veteranë. Është fjala për nenin 18 të Ligjit për veteranët të luftës së UÇK-së i cili është shfuqizuar në vitin 2017 nga qeveria PDK-LDK”, ka thënë Murati./Insajderi.com