
Liverpool ka shfaqur sërish interes për shërbimet e sulmuesit të krahut të Roma-s, Mohamed Salah. Egjiptiani ndërkombëtar ka qenë një ndër lojtarët kryesor të kryeqytetasve në këtë sezon në repartin e sulmuesit me 13 gola dhe 10 asiste në Serie A.
Sipas “Goal.com” menaxheri i të kuqve, Jurgen Klopp është një tifoz i madh i 24-vjeçarit dhe e dëshiron yllin e Roma-s në Anfield në sezonin e ardhshëm për të përforcuar ekipin me objektivin për të rikthyer Liverpool-in e madh. Nga ana tjetër Roma nuk dëshiron ta shesë sulmuesin e krahut, i cili ka edhe dy vite kontratë në “Stadio Olimpico”.
Liverpool e ka kërkuar Salah edhe në vitin 2014, por në atë kohë 24-vjeçari vendosi të transferohej në “Stamford Bridge” te Chelsea.
Një tjetër objektiv i Klopp për merkaton e verës është edhe polivalenti i Arsenal, Alex Oxlade-Chamberlain. Ndërkombëtari anglez mund të luaj në disa pozicione në fushë dhe kjo ka bërë që trajneri gjerman ta shikoj si një alternativë serioze për merkaton e verës.
23-vjeçari futet në 12 muajt e fundit të kontratës me “Topçinjtë” dhe drejtuesit e Liverpool janë të gatshëm të paguajnë 20 milionë sterlina për të firmosur me Chamberlain, njofton telesport.
Liverpool gjithashtu ka shfaqur interes edhe për Julian Brandt të Bayer Leverkusen, por mesfushori nuk dëshiron të largohet pasi synon një vend në skuadrën e Gjermanisë për Kupën e Botës 2018.