Klubet braziliane i japin lojtarë falas Chapecoenses pas tragjedisë

Klubet braziliane i japin lojtarë falas Chapecoenses pas tragjedisë

Klubi i Chapecoenses rrezikon të shuhet pas tragjedisë që ndodhi në Kolumbi, por klubet braziliane po mendojnë jo vetëm si të shpëtojnë këtë skuadër të vogël që po bënte mrekulli në vitet e fundit, por edhe për ta mbajtur në elitën e futbollit në këtë vend.

Presidenti i klubit të njohur të Gremio, Adalberto Preis, propozoi sot që të gjitha skuadrat e tjera t’i bashkoheshin nismës së tij për të huazuar lojtarë falas te klubi i goditur nga tragjedia, pa harruar këtu edhe ndihmat e tjera ekonomike që i nevojiteshin kësaj skuadre të vogël e cila deri pak vite më parë notonte në kategoritë e ulëta braziliane.

“E kisha imagjinuar gjithmonë që një ekipi mund t’i duhej të përballonte një skenar të tillë dhe fatkeqësisht ndodhi”, tha ai për mediat braziliane.

“Parimisht, Chape nuk do të ketë kushtet e duhura si ekonomike, ashtu edhe administrative, për të afruar lojtarë që të mbijetojë në Serinë A. Ndaj kam një ide që të solidarizohemi të gjithë dhe secili ekip elitar t’i huazojë një apo dy lojtarë Chapecoense pa pagesë. Në këtë mënyrë, klubi mund të rindërtohet pak nga pak”, deklaroi Preis. /Insajderi.com