KMDLNj: EULEX po e përdorë Policinë e Kosovës si “punëtorë krahu”

KMDLNj: EULEX po e përdorë Policinë e Kosovës si “punëtorë krahu”

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj bastisjeve që po bëhen nga EULEX në shtëpinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe Shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit, njofton Insajderi.

KMDLNj thotë se policia e EULEX-it po shpërfillë institucionet e Kosovës, duke shtuar se Policinë e Kosovës po e përdorë si “punëtorë krahu”.

Tutje në komunikatën e tyre për media, ky këshill shton se nuk ka asnjë kuptim që të bastisen shtëpitë e tyre meqë ata u dorëzuan paqësisht, por që e gjithë kjo sipas tyre është veçse një demonstrim i arrogancës dhe agresivitet të Policisë së Gjykatës Speciale që për qëllim thotë të kenë frikësimin e të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë Gjykatë.

“Vlen të theksohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selim dje , sikur edhe Jakup Krasniqi para dy dite nuk kundërshtuan me asgjë ndërhyrjen e Gjykatës Speciale madje bënë thirrje publike që të mos protestohet apo kundërshtohet në çfarëdo forme puna e Gjykatës Speciale . Policia e EULEX-it po shpërfillë skajshmërisht institucionet e Kosovës ndërsa Policinë e Kosovës po e përdorë si “ punëtorë krahu “ ndonëse më parë kryetarja e kësaj Gjykate pati deklaruar se pikërisht Policia e Kosovës do të ketë mandat për bastisje dhe arrestime eventuale. Të bastisen familjet e të arrestuarve e që janë dorëzuar paqësisht dhe vullnetarisht nuk ka asnjë kuptim përveç demonstrimit të një arrogance dhe agresiviteti të Policisë së Gjykatës Speciale që për qëllim ka frikësimin e të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë Gjykatë. Nëse pala kosovare ka dëshmuar se është e gatshme për bashkëpunim me “ drejtësinë ndërkombëtare “ atëherë si mund të arsyetohet ky arbitraritet dhe arrogancë e Policisë”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së. /Insajderi.com