KMLDNJ dënon sulmin ndaj Stavilecit, kërkon që të mos përdorët për qëllime politike

KMLDNJ dënon sulmin ndaj Stavilecit, kërkon që të mos përdorët për qëllime politike

Këshilli për Mbrojtjen të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, ka dënuar sulmin fizik ndaj bashkëshortes së ministrit Blerand Stavileci, e cila është sulmuar dje gjatë ditës nga dy persona të panjohur.

“KMLDNJ duke e dënuar këtë sulm të dhunshëm ndaj znj. Vitorie Stavileci, sikur edhe në rastet e mëparshme ka kërkuar dhe kërkon hetime të shpejta, efikase, të pavarura, që nënkupton të mos paragjykohen kryesit e kësaj vepre të dhunshme dhe të mos përdoret për qëllime politike nga asnjë subjekt politik”.

“Paragjykimi dhe motivi i supozuar për kryesit e mundshëm të këtij sulmi të dhunshëm por edhe të sulmeve të mëhershme e që nuk janë ndriçuar paraqet ndërhyrje flagrante në punën e organeve hetuese e që është e palejueshme në një shoqëri kur kompetencat janë të ndara dhe ku nuk lejohet ndërhyrja politike apo tjetër”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.

KMDLNj e gjykon si të papranueshme dhe ndërhyrje në hetime për rastin e sulmit ndaj Vitore Stavileci të drejtuesve të PDK –së në konferencën për shtyp ku sipas tyre, në mënyrë eksplicite dhe të pakundërshtyeshme u tha se sulmin e kryen “kriminelët e LV” pa u zhvilluar, pa u përfunduar hetimet dhe pa një vendim të gjykatës kompetente.

Këtë pohim të disa drejtuesve të PDK –së, KMDLNj e konsideron si paragjykim që nuk është mbështetur në asnjë provë dhe ndërhyrje në punët e hetuesisë.

“KMDLNj kërkon dhe pret nga PDK të distancohet nga këto akuza të disa drejtuesve të saj kundër një subjekti politik, të mos pengojë hetimet, të presë përfundimin e hetimeve dhe vendimin e gjykatës kompetente sepse në këtë mënyrë do t’ua mbyllë rrugët e paragjykimeve dhe do të ndihojë drejtësinë, përmes respektimi të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Fjalori akuzues , në të shumëtën e rasteve paragjykues , po përdoret për qëllime politike dhe kjo gjuhë e urrejtjes po e tensionon situatën duke prodhuar dhunë ndaj personave kryesisht të pafajshëm dhe të pambrojtur siç ishte rasti i sulmit ndaj znj. Vitorie Stavileci”, thuhet më tej në reagim.