Koalicionet e balotazhit – Kush më kë, kundër kujt?

Koalicionet e balotazhit – Kush më kë, kundër kujt?

Qysh prej daljes në publik të rezultateve të Zgjedhjeve Lokale të 22 tetorit, partitë, kandidatët e të cilëve kanë shkuar në balotazh, kanë filluar bisedimet me partitë e tjera që nuk kanë arritur të shkojnë balotazh.

Janë gjithsejt 19 komuna, të cilat do të zgjedhin kryetarin e tyre përmes balotazhit. Secila parti e madhe, përfshirë PDK-në, LDK-në, Vetëvendosjen, AAK-në, AKR-në, NISMA-n dhe Lista Serbe kanë mbetur në garën e balotazhit. Edhe partia e re, Alternativa, është balotazh në Gjakovë.

Deri më tani, shumë nga partitë e balotazhit kanë zhvilluar takime e bisedime me partitë e tjera të vogla por pak koalicione janë arritur.

Komunat të cilat kanë arritur marrëveshje për koalicione politike janë vetëm ajo e Vushtrrisë dhe  komuna e Kamenicës. Në këto dy qytete tashmë është bërë publike që ka koalicione mes partive për raundin e dytë zgjedhor të 19 nëntorit.

PDK dhe AAK kanë nënshkruar marrëveshje për koalicion për raundin e dytë të zgjedhjeve në komunën e Vushtrrisë.

PDK në komunën e Vushtrrisë mori gjithsej 8 mijë e 635 vota, ose 30.77 %, ndërsa AAK mori gjithsej 2 mijë e 169 vota ose 7.73 %.

Lutfi Bilalli nga AAK me këtë marrëveshje po i del në ndihmë Ferit Idrizit të PDK-së në garën kundër Xhafer Tahirit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Koalicion mes partive është bërë edhe në komunën e Kamenicës, mes tri partive: LVV-së, AAK-së dhe AKR-së, kundër LDK-së.

Lëvizja Vetëvendosje në Kamenicë ka publikuar edhe draft-marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Në ‘marrëveshjen politike’ thuhet se VV do të udhëheq me 60 % të drejtorive, AAK do ta ketë nënkryetarin e Komunës dhe 30 % të drejtorive komunale, kurse AKR kryesuesin e Kuvendit dhe 10 % të drejtorive.

Pavarësisht takimeve me bisedime për koalicione, drejtuesit e partive politike thonë se ende nuk ka diçka konkrete rreth koalicioneve pos takimeve të zyrtarëve politikë në nivel lokal.

Bisedime për koalicion mes LDK-së e VV-së ka pasur në Vushtrri, por këto dy parti nuk ranë dakord për të hyrë jo të vetme në garë për komunën e Vushtrrisë. këtë e ka bërë  të ditur njëri prej kandidatëve për asamble nga Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka koalicion me LDK-në në Vushtrri”, ka shkruar në Facebook, Faton Shabani.

Takime për koalicion ka pasur edhe në komunën e Prishtinës. Këtë e ka konfirmuar vetë kandidati i LDK-së Arban Abrashi. Ai ka thënë që ka pasur takime me Arbër Vllahiun e AAK-së, me të cilin janë pajtuar në disa pika. Por sipas tij ende nuk ka ndonjë marrëveshje zyrtare.