Koalicioni i frikshëm (2)

Çfarë e shtyri Fatmir Limajn të kthehet në gjirin e SHIK-ut, në strukturën që e ka akuzuar se ia ka montuar rastet gjyqësore të korrupsionit. Çfarë ndikoi që të ribashkohet me strukturën të cilën e ka akuzuar se e ka shantazhuar vetëm se nuk përfillte SHIK-un. Limaj ose është i korruptuar me të vërtetë dhe dëshiron të vazhdojë të pasurohet në këtë mënyrë, ose vuan nga “sindroma e Stokholmit” që e bën ta dashurojë dhunuesin e tij.   

Koalicioni i frikshëm (2)

A është Fatmir Limaj zyrtari më i lartë i korruptuar në Kosovë, apo viktimë e montimeve të SHIK-ut? A mos vuan nga “sindroma e Stokholmit” që krejt pavetëdijshëm dashuron dhunuesin e tij?

A mos u akuzua dhe po ndiqet penalisht përgjatë kësaj dekade vetëm pse refuzoi të ndante përqindjet e ryshfetit me SHIK-un dhe shefin e tij, Hashim Thaçi?

Pakkush e njeh më mirë Kadri Veselin dhe strukturën e tij sekrete sesa Fatmir Limaj. Ka qenë me ta gjatë gjithë kohës. I di të gjitha veprimet e kësaj strukture. Ai, asnjëherë nuk e ka fshehur faktin se si këto struktura kanë shantazhuar njerëz e janë përfshirë në krime, përfshirë ekonomike.

Përvojat personale e grupore në PDK i ka shpalosur shumë herë. Ka treguar raste kur njerëz të SHIK-ut kanë provuar ta shantazhojnë njërin prej zëvendëskryeministrave me publikimin e “aferave seksuale”.

Ka qarë dhjetëra herë para trupave gjykuese duke u ankuar se është viktimë e montimeve të PDK-së dhe EULEX-it.

Ka akuzuar njerëzit e tij të afërm se krijuan aferë të paqenë se kinse familjarë të tij ishin kapur në aeroport bashkë me Sabri Fejzullahun duke bartur para me thasë për në Zvicër.

Ka akuzuar Hashim Thaçin dhe SHIK-un se i kanë montuar mesazhe telefonike këshilltarit të tij, Endrit Shala duke negociuar ryshfete prej 25 për qind për tenderë rrugësh.

Ka treguar se ka pasur oferta nga PDK-ja për t’ia mbyllur proceset gjyqësore nëse do të braktiste koalicionin me LDK-në, AAK-në dhe Vetëvendosjen dhe do të hynte në Qeveri me ish-partinë e tij.

Me këto akuza dhe viktimizim, Limaj pos që e ka bindur vetën se është i pastër, ka bindur edhe shumë tjerë se vërtetë është i tillë.

Por, gjithë këtë e ka vënë në dyshim të martën natën kur nënshkroi marrëveshje me Kadri Veselin për t’ju bashkëngjitur një koalicioni të madh të përbërë prej ish-drejtuesish të UÇK-së me qëllim të ardhjes me çdo kusht në pushtet.

Ai nuk zgjodhi mjet as nuk la parim pa shkelur për pushtet. Për ndikim. Për hise në qeverisje. Për përfitim. Limaj si “viktimë” u kthye në gjirin e “dhunuesit” të tij. Iu nënshtrua me përulje për një copë hise në Qeveri.

Këtë mund ta bëjë vetëm Fatmir Limaj – një nga zyrtarët me të lartë të dyshuar për korrupsion në Kosovë.

Faktet nuk janë në anën e tij.

Limaj ishte pjesë e pandashme e këtyre strukturave. Ishte në gjendje të merrte përsipër të sulmonte vetë njerëz për ta mbrojtur Hashim Thaçin. Një gjë të tillë e ka bërë në vitin 2008 në Zyrën e kryeministrit kur kishte kërcënuar zyrtarin e lartë të Policisë së Kosovës, Rrahman Sulejmanin vetëm pse ai kishte thënë se nuk ka elemente se dikush ka provuar ta vrarë Thaçin, sepse personi që kishte provuar të hynte në shtëpinë e tij ishte një hajn i painformuar se e kujt ishte shtëpia që do të vidhte.

Pas largimit disa vjeçar nga PDK, Limaj kthehet në strukturën e PDK-së për të kërkuar së bashku vota.

Së shpejti do ta shohim të rreshtuar krah Kadri Veselit duke kërkuar vota për të, vetën dhe Ramush Haradinajn me premtimin se vetëm ata mund ta zhvillojnë Kosovën. Se vetëm ata mund t’ia luftojnë korrupsionin. Se vetëm ata mund t’ia kthejnë shpresën vendit.

Limaj tashmë është kthyer ribashkuar me “familjen e tij” partiake. Këtë e bëri për hise në pushtet.

E, ky fakt jep dy shpjegime: ose është i korruptuar si të tjerët, ose është viktimë që vuan nga “sindroma e Stokholmit”./Insajderi.com