fbpx

Koalicioni i frikshëm (3)

Jo rastësisht vrasjet e kundërshtarëve politikë janë ndalur krejtësisht pas ardhjes në pushtet të Hashim Thaçit. Madje as pyjet nuk po digjen më sikurse digjeshin në kohën e qeverisjes së koalicionit LDK-AAK, para vitit 2007.

Koalicioni i frikshëm (3)

A është më e rrezikshme PDK-ja në pushtet apo opozitë? Dëmet janë thuajse të barazvlefshme. Para ardhjes në pushtet në vitin 2007, PDK-ja është përshkruar si organizatë politike mafioze që nuk ka zgjedhur mjet për të fituar pushtetin.

Shërbimi inteligjent i NATO-s e ka përshkruar si organizatë të rrezikshme. Disa prej politikanëve kryesorë në Kosovë NATO i profilizonte si mafiozë, të lidhur me vrasje, trafiqe droge, duhani e nafte. SHIK-un përshkruhet si organizatë që i ka shërbyer PDK-së dhe e ka luftuar Ramush Haradinajn për kontroll të naftës.

Shërbim sekret mafioz të udhëhequr nga Ramë Maraj, sipas NATO-s kishte edhe LDK-ja që përpiqej të zinte vend në nëntokën e Kosovës. Fuqia e kësaj strukture ishte minore në raport me SHIK-un.

Më dhjetëra zyrtarë më të lartë të PDK-së janë nëpër burgje për krimet më të rënda, përfshirë vrasjet. Ka të atillë që janë të akuzuar për krim të organizuar dhe dëme të shkaktuara në kurriz të pasurisë së shtetit në vlerë prej, 30 milion eurosh. Azem Syla, është njëri prej tyre që është i akuzuar për këto veprime.

Pjesë e grupit të tij janë njerëz të dënuar për vrasje. Syla ishte një nga bashkëpunëtorët me të afërm të Hashim Thaçit.

Sigurisht, këto para të përvetësuara në këtë mënyrë nuk kanë shkuar vetëm në llogarinë e tij, por edhe të partisë. Prokuroria ka arritur të zbulojë që grupi i Sylës fillimisht është financuar nga një mashtrim i tij në Zvicër në vlerë prej 400 mijë frangash. Këto para i ka përvetësuar me anë të mashtrimit duke u shtirur si i sëmurë mental.

Se si qeverisë PDK-ja është dëshmuar prej bisedave të Adem Grabobcit. Ato kanë treguar se gjithë struktura kryesore është e përfshirë në veprime të paligjshme. Synim i tyre është zënia e bordeve me njerëz të besueshëm për të zhvatur milionat siç ishte me ndërmarrjen Radoniqi.

Pse PDK-ja bëhet edhe më e fortë kur është fjala për fahun e saj pas bashkimit me dy partitë tjera të përafërta me të, në krye të të cilave është Kadri Veseli?

Profile të tilla zyrtarësh të lartë ka edhe në dy partitë tjera, AAK dhe NISMA. Bashkimi i forcave në një koalicion qeverisës do të rriste mundësitë e tyre për vazhduar me zhvatje të tilla të pasurisë edhe në të ardhmen.

Shumicën e veprimeve të liga, njerëzit e PDK-së i kanë kryer gjatë kohës sa ishin në opozitë.

E, jo rastësisht vrasjet e kundërshtarëve politikë janë ndalur krejtësisht pas ardhjes në pushtet të Hashim Thaçit. Madje as pyjet nuk po digjen më sikurse digjeshin në kohën e qeverisjes së koalicionit LDK-AAK, para vitit 2007.

Është fakt i ditur se PDK-ja ka fuqi më të madhe për menaxhimin e krizave. Ama këto kriza gjithmonë i ka shkaktuar vetë për të dëshmuar se vetëm ajo mund t’i menaxhojë.

EULEX-i tashmë nuk ka mandat për të hapur raste të reja, e nga ana tjetër Prokuroria dhe Gjykatat vendëse janë të në masë të madhe të varura nga politika. Mundësia për të kapur dhe ndëshkuar keqpërdoruesit thuajse nuk ekziston.

Në këtë kontekst ardhja në krye të shtetit e këtij koalicioni do të paraqiste rrezik serioz për demokracinë, rendin dhe ligjin si dhe të ardhmen e vendit.

Është në dorën e këtyre subjekteve që njerëz me dosje kriminale të mos i fuste në listën zgjedhore, e as të mos i emëronte në pozita. Mirëpo, një gjë e tillë është e pamjaftueshme sepse këto subjekte në bërthamë kanë njerëz që janë të lidhur me krimin.