Kocijançiq: BE duhet të jetë përgjegjëse për krimet e kryera në ish-Jugosllavi

Kocijançiq: BE duhet të jetë përgjegjëse për krimet e kryera në ish-Jugosllavi

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Komisionit Evropian ka thënë se Bashkimi Evropian (BE), duhet të jetë përgjegjëse për të gjitha krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavinë.

Në një prononcim për lajmi.net, Kocijançiq është shprehur se të gjitha ngjarjet e viteve 90-ta kanë lënë shumë viktima dhe se familjet e tyre janë në kërkim të drejtësisë.

“Pozita e qartë e BE-së është se duhet të ketë përgjegjësi për të gjitha krimet e kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavinë e viteve të 90-të, dhe se vetëm bashkëpunim kuptimplotë rajonal dhe fqinjësia e mirë janë vendimtare për të nxitur besimin dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës”, ka thënë Kocijaniçiq.

Kocijançiq është shprehur se të gjitha komunitetet duhet të shohin hapa konkret.

“Ngjarjet e viteve të 90-të kanë lënë shumë viktima dhe familjet e tyre në kërkim të drejtësisë dhe njohjes së vuajtjeve të tyre. Të gjitha komunitetet duhet të shohin hapa konkret dhe të vërtetë”, thekson tutje Kocijançiq.

Tutje zëdhënësja e Komisionit Evropian ka shtuar se të gjithë udhëheqësit politik në rajon duhet të kontribuojnë në stabilitet.

“Udhëheqësit politik në rajon duhet të kontribuojnë në stabilitet, pajtim dhe një klimë të favorshme për adresimin e çështjeve të hapura bilateral dhe trashëgiminë e së kaluarës. Kjo po ashtu përfshin shmangien dhe dënimin e çfarëdo deklarate apo veprimi që do të nxiste tensionet ndëretnike”, ka theksuar në fund Kocijançiq.

Ka disa ditë që Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka nisur një iniciativë për themelimin e një Gjykate Ndërkombëtare për krimet e serbëve në Kosovë. Lidhur me këtë nismë të Veselit është mbajtur edhe një seancë e jashtëzakonshme.

Mirëpo gjatë kësaj seancë deputetja, Flora Brovina nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka prezantuar një foto ku pretendonte se tre ushtarë serbë shihet duke përdhunuar një grua kosovare, mirëpo që kjo foto doli mos të jetë e vërtetë. /Insajderi.com