Koha kur Thaçi kërkonte nga ndërkombëtarët ndihmë për lirimin e Kurtit

Koha kur Thaçi kërkonte nga ndërkombëtarët ndihmë për lirimin e Kurtit

Pak ditë pas refuzimit të Gjykatës Speciale në Hagë q ëish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtori politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësit tjerë ushtarakë të lirohen dhe të mbrohen në liri, është ripublikuar një artikull i vitit 2011, që dëshmon kohën kur Thaçi si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar lirimin nga burgu të tash kryeministrit Albin Kurti.

Këtë kërkesë, Thaçi ua bënte liderëve të fuqishëm politikë botërorë, si Sekretari i Shtetit amerikan, Kolin Pauell, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan e ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

“Kërkojmë nga autoriteti Juaj që të shfrytëzoni influencën e shtetit që përfaqësoni me qëllim që të lirohen sa më parë liderët e lëvizjes studentore, Nait Hasani dhe Albin Kurti si dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë shqiptarët”, thuhej në letrën e Thaçit të vitit 2001, të publikuar në të përditshem “Zëri ditor”.

Nëpërmjet të së njëjtës letër, Thaçi kishte kërkuar edhe për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.

“Fjala është për absurditetin që karakterizojnë vendimet e autoriteteteve të reja të Beogradit në vazhdimin e mbajtjes në burgjet serbe të qindra shqiptarëve dhe refuzimin e dhënies së informative për mijëra të tjerë që konsiderohen të zhdukur, vecanërisht intelektualin e mirënjohur Ukshin Hoti”, kishte shkruar Thaçi.

Tani, kur vendimi i publikuar së fundmi nga Specialja, të akuzuarve I ka hapur një rrugë tjetër për t’u mbrojtur në liri në të ardhmen, nëse të akuzuarit marrin pëlqimin e një shteti të tretë dhe garantojnë se të akuzuarit do të mbrohen në liri, Hisen Berisha, ish-komandant i UÇK-së në Koshare, tha së fundmi se presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, është ofruar të jetë garant në Gjykatën Speciale për lirimin e ish-presidentit Thaçi dhe të tjerëve, në mënyrë që ata të mbrohen në liri.

“Një mik i imi në Kroaci më thotë, se Presidenti kroat është ofruar të jetë garant, i mbrojtjes në liri të këtyre personaliteteve. Dhe jo vetëm njërit nga ta që mund ta ketë më mik – në këtë rast po flas për z. Veseli- por për të gjithë ata që janë atje”, ka deklaruar Berisha. “Kurse përfaqësuesit e institucioneve tona, nuk patën kurajo ta marrin këtë përgjegjësi, sepse edhe nuk ju besojnë”, ka shtuar ai.

Jo vetëm Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, por edhe Presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mund të garantojnë për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga.

Kështu është shprehur drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

“Nëse kjo nuk garantohet nga Kosova, e njëjta mund të garantohet nga Shqipëria, respektivisht nga Presidenti Meta apo Kryeministri Rama, por që nuk e kanë peshën dhe rëndësinë e njëjtë sikur kjo të vinte nga Kosova”, u shpreh Miftaraj. /Insajderi.com