Kolegjet private që iu refuzua akreditimi i disa programeve refuzojnë të flasin

Kolegjet private që iu refuzua akreditimi i disa programeve refuzojnë të flasin

Përveç katër kolegjeve private dhe tri universiteteve publike në Kosovë, Këshilli Shtetërorë i Cilësisë, nuk u ka vazhduar akreditimin edhe disa programeve të kolegjeve private në vend.

Kolegjeve UBT, Dardania si dhe AAB u është refuzuar si dhe janë shtyrë vendimet për akreditimin e disa programeve të këtyre kolegjeve. Këto kolegje kanë refuzuar të komentojnë vendimet e KShC-së e cila ka marr vendim javën e kaluar për mos akreditimin e disa prej programeve të tyre.

Kolegjit UBT, nuk iu është vazhduar akreditimi në tri programe të këtij kolegji si dhe për një program tjetër është shtyrë vendimi.

Asnjë nga studentët kosovarë nuk do të mund të regjistrohen në drejtimet, shkenca politike, e drejta penale, teknik i Stomatologjisë si dhe në laborant i bikomisë në këtë kolegj privat për shkak se KShC mori vendim se nuk i plotësojnë kushtet për akreditim, me përjashtim të programit, Laborant i Bikomisë vendimi për të cilin është shtyrë.

Insajderi ka provuar të marrë një përgjigje nga UBT për këtë çështje, por nuk kanë qenë të gatshëm të flasin. As kolegji tjetër privat Dardania nuk ka qenë i gatshëm të deklarohet për programet që nuk i janë akredituar.

Dy programe të këtij kolegji, Ekonomiks dhe Administrim Biznesi dhe Ekonomi nuk i kanë plotësuar kriteret për akreditim të KShC-së, ndërsa  vendimi për programin e Përkujdesje dhe Mirëqenie Social, është shtyrë.

Vendimi është shtyrë edhe për dy programe tjera të kolegjit privat AAB. KShC nuk ka vendosur ende për programet Radiologji dhe për programin e Drejta Civile që kishte propozuar për akreditim ky kolegj.

Sipas një përgjigje të këtij kolegji, ekspertët ndërkombëtarë kanë rekomanduar akreditimin e këtyre programeve, por që nuk kanë shpjeguar për shtyrjen që KShC u ka bërë.

“Për këto programe ekspertët ndërkombëtarë kanë vlerësuar pozitivisht këto programe dhe kanë rekomanduar akreditimin e tyre”, thuhet në një përgjigje të shkurt nga AAB.

Përveç programeve të tri kolegjeve private ku janë refuzuar ose shtyrë vendimet, KShC kishte marrë vendim për mos akreditimin e tri universiteteve publike të Kosovës. Universiteti i Pejës, ai i Mitrovicës dhe ai i Prizrenit nuk janë akredituar nga KShC për këtë vit akademik.

Po ashtu edhe katër kolegje private nuk ishin akredituar. Fama, Tempulli, Iliria dhe Kosovo Art Academy nuk kishin përmbushur kushtet e nevojshme sipas KShC-së.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë menjëherë pas këtij vendimi ishte shprehur e shqetësuar ku reagimet e shumta për vendimet e saj i kishte quajtur lojë politike. Kishte sqaruar se këto vendime janë në mborjte të cilësisë së arsimit në Kosovë.

“KShC është e shqetësuar për manipulimin e opinionit publik dhe përdorimin e vendimeve të KShC-së për lojë politike. Vendimet e KShC-së janë në funksion të garantimit të cilësisë në arsim dhe mbrojtjes së familjeve dhe fëmijëve të tyre nga programe/institucione me cilësi të kontestueshme dhe larg standardeve evropiane. KShC garanton qasje të studentëve në arsim cilësor dhe premtues për zhvillim shoqëror në Kosovë, të krahasueshëm me vendet evropiane”, thuhej në reagimin e tyre.