Kollçaku e justifikon reagimin me vonesë të Kurtit për arrestimet e Speciales: Ishte i infektuar me COVID

Kollçaku e justifikon reagimin me vonesë të Kurtit për arrestimet e Speciales: Ishte i infektuar me COVID

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se lideri i kësaj partie, Albin Kurti, gjithmonë është prononcuar për Gjykatën Speciale dhe akuzat që ajo ka ngritur, transmeton Insajderi.

Në një prononcim për “Good Morning Albanians”, Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se Kurti ishte i infektuar me Coronavirus dhe se prej dy javësh ndodhej në karantinë, andaj edhe reagimi i tij ka ardhur pas dy javësh për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ndodhen në Hagë.

“Fillimisht nuk do të komentoja fare deklaratën e ministres. E para është botërisht e njohur që Kurti ka qenë i infektuar me COVID dhe më shumë se dy javë ka qëndruar i karantinuar. Zoti Kurti së paku është tepër ballëhapur, sidomos në raport me Gjykatën Speciale dhe kjo nuk po ju pëlqen shumë aktorëve politikë në Kosovë.

“Lufta me Serbinë ishte një luftë e drejtë dhe çlirimtare. Gjatë këtyre viteve Albin Kurti dhe pjesëtarët e tjerë të Vetëvendosjes e kanë pasur të qartë këtë gjë dhe janë prononcuar ndër vite. Habitem me këto konstatime dhe kush vonoj dhe kush nuk vonoj në reagim”, u shpreh ajo më tej.

Kollçaku theksoi më tej se UÇK-ja nuk ka qenë kurrë një ndërmarrje kriminale.

“Krejt ajo që po shohim është se duan të shtrembërojnë ato çfarë ka ndodhur. Ne nuk kemi pasur ndërmarrje kriminale, po kemi pasur bashkim të qytetarëve. Ne nuk kemi pasur një ushtri, po qytetar që janë përballur me një agresor, që u është dashur të mbrojnë familjet e tyre. Gjërat janë tepër të qarta”, tha ajo.

“Serbia dëshiron plotësisht ta ndryshojë edhe historinë. Ne e dimë kush është Vuçiqi, ai nuk është njeri i paqes.”, përfundoi Kollçaku. /Insajderi.com