Komandanti i parë i KFOR-it: S’deshëm të fillonim Luftën e Tretë Botërore në Kosovë

Komandanti i parë i KFOR-it: S’deshëm të fillonim Luftën e Tretë Botërore në Kosovë

Atë natë qershori, para 19 vjetësh, sytë e gjithë Jugosllavisë ishin të drejtuara nga ekranet televizive, në të cilat nga terri pranë qytetit të Maqedonisë, Kumanova, para çadrës ushtarake, me një mesazh të rëndësishëm po shfaqej gjenerali i NATO-s, Michael Jackson.

Kështu e nisë BBC në gjuhën serbe bisedën me këtë gjeneral, që do të kujtohet në historinë e shtetit më të ri të Evropës, Kosovës, transmeton Koha.net.

Nënshkrimi i tij ishte në Marrëveshjen e Kumanovës, me të cilën pas 78 ditësh iu dha fund bombardimeve të Republikës Federative të Jugosllavisë (RFJ-së), ndërsa për Jacksonin shënonte edhe fillimin e operacionit të misionit të KFOR-it në Kosovë, të cilin do ta drejtonte në cilësinë e komandantit të parë.

Nëntëmbëdhjetë vjet më vonë, në pyetjen se e a e kishte të qartë rëndësinë historike të atij momenti, buzëqeshet dhe thotë se beson se ka qenë mjaft i ndërgjegjshëm.

“Isha i gëzuar dhe ndihesha i lehtësuar meqë ishte arritur marrëveshja, lufta nuk vazhdonte më”, tha Jackson në bisedën me BBC.

Nga kafeneja deri te tenda

Parimet politike, sipas të cilave Ushtria e Jugosllavisë (UJ) dhe forcat e MPB-së të Serbisë do të tërhiqeshin nga Kosova, ndërsa forcat e NATO-s do të hynin në atë territor, duhej të shndërroheshin në praktikë.

Kjo ishte detyrë nga njëra anë e gjeneralit të NATO-s, Michael Jackson, ndërsa nga ana tjetër e delegacionit të RFJ-së, që përbëhej nga gjenerali Obrad Stevanoviq, gjenerali i UJ-së Svetozar Marjanoviq, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Negociatat e ditës së parë u mbajtën në kafenenë “Evropa” në vendin Bllacë në anën e Maqedonisë, menjëherë përtej kufirit me Jugosllavinë (siç konsiderohej atëherë – plotësim ynë).

“Kjo ishte rastësi, nuk kishte kurrfarë lidhjeje simbolike me emrin”, sqaron gjenerali Jackson dhe shton se bisedimet shumë shpejt u zhvendosën në bazën e ushtrisë franceze te Kumanova, meqë për delegacionin serb nuk kishte siguri të mjaftueshme që të vinin deri te “Evropa”.

Dispozitat më të rëndësishme: Ndërprerja e armiqësisë ndërmjet forcave të NATO-s dhe forcave të UJ-së dhe policisë serbe, tërheqja e UJ-së dhe policisë së Serbisë nga territori i Kosovës në periudhën brenda 11 ditësh, vendosja e zonës së sigurisë nga kufiri (në tekstin në gjuhën serbe të intervistës cilësohet administrative – sqarim ynë) me Kosovën, detyrimi i forcave të KFOR-it që të çarmatosin UÇKN-në (teksti i plotë i Marrëveshjes gjenet në sajtin e NATO-s).

Negociatat i kujton për gjatësinë e mundimshme, harmonizimin e hollësishëm me palën jugosllave, thekson BBC, transmeton Koha.net.

“E mbaj në mend se herë pas here detyroheshin të shkonin në territorin serb për të realizuar kontakt telefonik me Beogradin”, thotë Jackson.

Gjenerali britanik thotë se gjatë negociatave nuk ka pasur rishqyrtim të qëndrimeve politike, por bisedohej vetëm për zbatimin praktik të pikave për të cilat ishte arritur marrëveshje.

“Serbia ishte e shqetësuar për kohën e vakuumit të sigurisë kur të tërhiqeshin forcat e ushtrisë e të policisë dhe dëshironte që hyrja e NATO-s në Kosovë të ndodhte sa më shpejtë të jetë e mundur”, kujton Jackson.

“Nuk doja të fillonte Lufta e Tretë Botërore”

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes kishte pritur më shumë gjumë dhe realizimin e planit të përgatitur paraprakisht të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë.

E zgjuan nga gjumi me informatën se forcat ruse, deri atëherë pjesë e forcave të SFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë, kishin mbingjyrosur shenjat dhe të parat ishin futur në Aeroportin e Prishtinës.

“Ne kishim pritur që të na bashkohej kontingjenti i forcave ruse, ashtu si në Bosnje.

Edhe unë këtë e pata mbështetur, në radhë të parë për arsye të lidhjeve kulturore dhe religjioze të popullit dhe të kishës ruse e serbe.

Por, mënyra dhe koha kur kishte ndodhur kjo nuk ishte pjesë e planit”, përshkruan Jackson situatën që kishte tronditur të gjithë edhe në selinë e NATO-s, edhe në Bruksel.

Gjenerali amerikan Wesley Clark, komandant i forcave europiane të Aleancës, kishe urdhëruar ndaljen e trupave ruse, largimin e tyre nga aeroporti dhe bllokimin e furnizimit.

“Unë i thashë se kjo nuk ishte pjesë e mandatit tonë të marrë nga Kombet e Bashkuara, ndërsa gjërat do të mund të merrnin anën nga e keqja, të paplanifikuara, jo qëllimshëm, por të ndodhte. Duhej të shmangej mundësia e konfliktit të drejtpërdrejtë”.

Në autobiografinë e tij, Jackson thekson se Çlark kishte tërhequr vërejtjen se nuk dëshiron të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore, ndërsa sot thotë se ishte sinqerisht i shqetësuar.

Forcat e Jacksonit u futën të parat në territorin e shkatërruar nga luftimet.

“Ishim të vetëdijshëm se lufta midis Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) kishte qenë shumë brutal sikundër edhe bombardimet e NATO-s mbi pozitat e Ushtrisë, ndonëse rezultatet nuk ishin ashtu siç disa njerëz mendonin se janë”.

Nuk ishin pritur as detyrat që u shfaqën, me gjithë përshtypjet që mbretëronin.

“Problemi i Kosovës, siç e shihte shumica në Perëndim, ishte represioni serb mbi shqiptarët e Kosovës.

Fatkeqësisht, ishte tragjike se pas tërheqjes së forcave serbe patëm situatë të kundërt – disa shqiptarë të Kosovës kishin kujtuar se ishte rasti të shfrytëzonin pozicionin e vet shumicë për të kryer represion mbi pakicën serbe.

E kishim problem çfarë të bënim me UÇK-në, si ta zbatonim çarmatimin dhe demilitarizimin”.

Pas përfundimit të bombardimeve, forcat e KFOR-it ishte thuaja pushteti i vetëm në Kosovë, meqë me forcat e sigurisë të Jugosllavisë u larguan shumë refugjatë.

“Ajo që na befasoi ishte se Serbia kishte sunduar Kosovën gati si një koloni – të gjitha organet e shtetit përbëheshin krejtësisht nga serbë.

Përveç ushtrisë e policisë, pushteti civil, spitalet, shkollat dhe universitetet, sistemi elektroenergjetik, që të gjitha ishin kontrolluar nga serbët.

Pastaj shumë nga këta njerëz u larguan, ndonëse me marrëveshje kjo nuk kërkohej, tërheqja kishte të bënte vetëm me forcat e sigurisë”, përshkruan Jackson dhe shton se forcat e tij u desht të merren edhe me administratën deri sa nuk u vendos sistemi civil, transmeton Koha.net.

“Flija vetëm pesë orë”

Nga distanca kohore nëntëmbëdhjetë vjeçare, Jackson konsideron se KFOR-i bëri të gjitha ato që i kishte për detyrë, kurse në insistimin nëse ka pasur ndonjë gjë për të cilën është dashur të bëje më shumë, ai është përgjigjur me pyetje.

“Është e vërtetë se kam fjetur nga pesë orë në natë, gjë që ndoshta nuk është dashur ta bëja?

Por, nuk mundeni gjithmonë pa gjumë.”.

Jackson është i bindur se forcat e tij kanë kryer me sukses misionin në një që ai e përshkruan jashtëzakonisht të rëndë.

“U kemi ndihmuar njerëzve që ndodheshin në situatë të pamundur, dhe këtu llogaris edhe Serbinë – Serbia kishte hyrë në një situatë të pamundur nën Millosheviqin.

KFOR-i i ka ndihmuar jo vetëm Kosovës por edhe të ardhmes më të mirë të Ballkanit”.

I pyetur nëse konsideron se ka miq edhe ndër serbë të Kosovës, Jackson përgjigjet: “Do të dëshiroja të kisha”.

“Posaçërisht e kujtoj një klerik të Kishës Ortodokse Serbe, që është bërë një nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Shpesh herë më ka ftuar në drekë në manastir, shpesh më ka bërë me dije edhe se ku po gaboja”, përshkruan Jackson takimet me serbët e Kosovës.

“Ballkani më është futur nën lëkurë”

Jackson sot i ka 74 vjet dhe jeton në Britani të Madhe.

Veten e përshkruan si “gjysmëpnesionist”, ushtarakisht nuk është më aktiv, por mban ligjërata të ndryshme, punëtori, fjalime motivuese dhe këshillon klientë të ndryshëm.

“Princi i errësirës”

Gjenerali Jackson mori nofkp[ën në ushtrinë britanike “Princi i errësirës” (Prince of Darkness). “Nuk mund t’ua them çfarë qëndron pas kësaj nofke, nuk e kam shpikur unë”, përgjigjet me buzëqeshje.

1995 – 1996 ishte komandant i forcave të OKB-së në Bosnjë e Hercegovinë.

Një muaj para fillimit të luftës në Irak mori pozitën e shefit të Ushtrisë së Britanisë.

U pensionua pash shërbimit të gjatë 45 vjet.

Djali i tij Marku ka shërbyer në ushtrinë britanike në Kosovë derisa i atij i tij ishte në krye të KFOR-it.

Në Ballkan është kthyer shpesh, ndonëse thotë se nuk e ndjek situatën në hollësi.

“Meqë e dini se kam qenë në Bosnjë qysh më 1995, e kuptoni se Ballkani më është futur nën lëkurë”.

Në shembullin e Mostarit, ku është në bordin drejtues të një shkolle ndërkombëtare, thotë se me rindërtimin e urës është bërë edhe rindërtimi fizik dhe se vihet re përparim i madh.

“Më intereson të di se në ç’masë ky rekonstruktim fizik është ndjekur nga përtërirja filozofike, politike e religjioze, për këtë jam më pak i bindur”.

Jackson e kupton pse NATO-ja në Serbi vazhdon të jetë jopopullore, e pranon se ndërhyrja ushtarake më 1999 vazhdon të ketë gjurmë.

“Shikuar hipotetikisht, sikur Serbia edhe të dëshironte të bëhej anëtare e NATO-s, kjo nuk do të shihej me simpati nga ana e Moskës.

Por, kjo është punë për pushtetin serb dhe për qytetarët e Serbisë”, përfundon gjenerali britanik i cili shërbeu në Ushtrinë Mbretërore 45 vjet.