Komisioni hetimor i drejtohet zyrës ligjore të kuvendit për PTK-në

Komisioni hetimor i drejtohet zyrës ligjore të kuvendit për PTK-në

Në Komisionin Hetimor Parlamentar që sot është mbajtur në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, është marrë vendim që komisioni t`i drejtohet zyres ligjore të kuvendit

Fillimisht deputetja Albulena Haxhiu, kërkoi që komisioni të kërkojë që të pezullohet ky vendim nga Gjykata Themelore, lidhur me vendimin e Arbitrazhit për ekzekutimin e 26 milionë eurove tek Z Mobile.

Po ashtu ajo shprehu një kërkesës ose peticion për një seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në Telekom.

“T’i shkruajmë një letër Gjykatës Themelore fillimisht për pezullimin e vendimit të arbitrazhit ndërmjet Telekomit dhe Z mobile për ekzekutimin e 26 milionë euro, për shkak se është në hetim Telekomi nga Komisioni Hetimor”, tha Haxhiu.

Milaim Zeka, anëtar i komisionit, ka mbështetur iniciativën e Albulena Haxhiu për seancë të jashtëzakonshme. Mirëpo tha se nuk ka asnjë të drejtë ligjore Kuvendi që ti kërkoj gjykatës pezullimin e vendimit të arbitrazhit.

Visar Ymeri, tha se nuk duhet të dalim qesharak me këtë kërkesë, por ndoshta për këtë do të duhej Komisioni Hetimor të merrte mendimin e Zyrës Ligjore në Kuvend, ndërsa shtoi se ky komision edhe në të kaluarën ka kërkuar nga menaxhmenti dhe MZHE që mos të nënshkruhet ripërtrirja e kontratës me Z-Mobile. Ndërsa, Ymeri nuk ka përkrahur që seanca e jashtëzakonshme të thirret në emër të Komisionit Hetimor.

Edhe Armend Zemaj, anëtar, tha se kërkesa e  Haxhiut duhet të përcillet në Zyrën e Ligjore të Kuvendit, ndërsa tha se është për seancë të jashtëzakonshme, por pa u përfshirë puna e Komisionit Hetimor, në mënyrë që të ketë rezultate.

Komisioni Hetimor vendosi që kërkesa e Albulena Haxhiut për vendimin e arbitrazhit t’i drejtohet Zyrës Ligjore të Kuvendit, dhe sot brenda ditës kjo zyrë të kthejë përgjigje Komisionit.

Haxhiu gjithashtu propozoi që të intervistohen nga ky Komision, Adnan Merovci, Shqyeri Haxha dhe Blerim Devolli.

Komisioni Hetimor ka shqyrtuar sot edhe hartimin e listës së dëshmitareve që do të dëgjohen në Komision. Nga dita e premte do të nisë intervistimi i dëshmitarëve nga ana e Komisionit Hetimor.