fbpx

Komisioni hetimor kërkon dokumentet e shpenzimeve milionëshe për lobim – Institucionet heshtin

Para pak javësh është funksionalizuar komisioni parlamentar për hetimin e shpenzimeve milionëshe që institucionet e Kosovës kanë shpenzuar për kontraktimin e kompanive ndërkombëtare për lobim. Mirëpo deri tash asnjë institucion nuk i ka ofruar dokumentet e kërkuara nga ky komision. Insajderi ka raportuar për disa nga kontratat e shpenzimeve. Madje rasti i fundit ka qenë ai i Zyrës së Presidencës, e cila vitin e kaluar kishte ndarë gjysmë milion euro për imazhin e presidentit Hashim Thaçi.   

Komisioni hetimor kërkon dokumentet e shpenzimeve milionëshe për lobim – Institucionet heshtin

Përgjatë viteve Insitucionet e Kosovës kanë shpenzuar miliona euro për këshilla dhe lobim për kompanitë  “Patton Boggs”,  “Alston Bird” dhe  “Ballard Partners”. Ndarja e këtyre mjeteve është përcjellë me mostransparence dhe mungesë të sukseseve, shkruan Insajderi.

Në muajin mars të këtij viti deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kërkoi krijimin e një komisioni hetimor për paratë e taksapaguesve kosovarë që u shpenzuan në kontraktimin e kompanive ndërkombëtare për lobim.

Komisioni hetimor tashmë është funksionalizuar, kanë mbajtur edhe mbledhjen konstituive dhe atë për përpilimin e agjendës.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha për Insajderin se komisioni që përbëhet nga 15 antërë kanë kërkuar nga Ministria e Financave, qasje në të gjitha kontratat e shpenzimeve për lobim.

Të njëjtën kërkesë Abdixhiku thotë se e kanë dërguar edhe në Zyrën e Presidentit, Hashim Thaçi dhe Ministrinë  e Punëve të Jashtme, që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli. Mirëpo deri tash komisioni nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Fatkeqësisht asnjë dokument e asnjë kontratë nuk na është dërguar në Komision Hetimor, dhe kjo përbën një sjellje të paprecedent të historisë parlamentare në vend. Jemi ende në pritje”, tha Abdigjiku.

Ai thotë se kanë kërkuar kohë shtesë në kuvend për të trajtuar “eventualisht te gjitha dokumentet qe do te na vijnë”.

“Më pas do të përpilojmë edhe listën e individëve që duhet intervistuar”, tha ai.

Insajderi ka kërkuar të dijë nga Ministria e Financave pse nuk u është ofruar qasje në dokumentet e kërkuara nga komisioni hetimor.

Zëdhënësi i ministrisë  se Financave, Muharrem Shahini tha për Insajderin se i kanë kthyer përgjigje komisionit se kontratat e shpenzimeve duhet t`i kërkojnë në secilin institucion veç e veë pasiqë Ministria e Financave nuk i ka këto dokumente.

“Ministria e Financave nuk i ka kontratat, marrëveshjet e mirëkuoptimit, memorandumet etj. Që kanë lidhje me lobim. Secila organizatë buxhetore e ka buxhetin e vete të miratuar sipas ligjit dhe konform saj edhe autorizimet përkatëse dhe procedurat e dokumentet specifike të shpenzimeve. Në këtë drejtim ju mund të kërkoni direkt nga secili institucion informata të tilla”, thuhet ën përgjigjen e MF-së që i ka kthyer komisionit me datën 3 korrik.

Përveç nga ministria e Financave Insajderi ka kërkuar të dijë pse Zyra e Presidentit dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk i kanë kthyer ende përgjigje kërkesës së komisionit hetimor për shpenzimet për lobim, por asnjëra ende nuk është përgjigjur lidhur me këtë çështje.

500 milionë euro për “Patton Boggs”

Kompania “Patton Boggs” që këshillohet nga ish-diplomati, Frank Wisner kishte raportuar  në Departamentin Amerikan të Drejtësisë se gjatë vitit 2016 se ka marrë qindra mijëra euro nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, në raportet e dorëzuara shënohet se kompania nuk ka raportuar për asnjë aktivitet lobimi në interes të Qeverisë së Kosovës.

Derisa tek rasti i Kosovës tregohet se paratë janë marrë përkundër mungesës së aktiviteteve të raportuara, ndryshe ishin të dhënat për shtetet tjera.

“Patton Boggs” tregon në raport se nuk ka marrë para nga shtetet tjera për të cilat nuk ka deklaruar aktivitete lobimi të realizuara gjatë vitit 2016.

Kompania e këshilluar nga Wisner, prej vitit 2011 ka përfituar afër 2 milionë euro nga Qeveria e Kosovës. Obligim i saj ka qenë ‘forcimi i marrëdhënieve Kosovë-ShBA, nxitja e investimeve amerikane në Kosovë’.

Në gjashtë mujorin e parë ajo ishte paguar me shumën prej mbi 25 mijë euro derisa në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2016  kishte marrë shumë më shumë. Kompania ka raportuar se më 16 nëntor e ka pranuar një pagesë prej 354 mijë e 337 dollarëve. Tri javë më pas, më 7 dhjetor 2016, e ka pranuar një pagesë tjetër në vlerë prej 189 mijë e 532 dollarësh amerikanë.

2.3 milionë euro për “mikun e madh të  shqipëtarëve”

Në fillim të vitit të kaluar kompania amerikane “Alston Bird”, që këshillohet nga ish-senatori Bob Dole i cili e mban epitetin ‘miku i madh i shqiptarëve’, kishte fituar tender 2 milionë e 300 mijë eurosh nga Qeveria e Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme, nëpërmjet një tenderi të negociuar që nuk lejon konkurrencën e pati shpallur fitues vitin e kaluar kompaninë amerikane “Alston Bird”, këshilltar special i së cilës është ish-senatori Bob Dole.

Njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik tregon se vlera e përgjithshme e kontratës tri vjeçare me kompaninë “Alston Bird LLC”, me bazë në Uashington parashihet të jetë në vlerë prej 2 milionë e 340 mijë eurosh.
Ndërsa si vlera vjetore është paraparë të jetë në shumë prej 780 mijë eurosh, ndërsa vlera mujore në vlerë prej 65 mijë eurosh.

Thaçi gjysmë milionë euro për lobuesin e afërt me Trump

Në dhjetor të vitit të kaluar presidenca përgatiti tenderin për një tjetër kompani amerikane për lobim.

Gjysmë milionë euro të buxhetit të Kosovës planifikohet të shpenzohen për imazhin e presidentit Hashim Thaçi. Presidenca ka përzgjedhur një kompani lobuese të udhëhequr nga Brian Ballard, i cili shquhet si një prej njerëzve më të afërt të presidentit amerikan, Donald Trump

Sipas njoftimit të Presidencës, kontrata mes shtetit të Kosovës dhe kompanisë së Brian Ballard peshon  517 mijë e 198 euro.

Kompania obligohet që të ofrojë shërbime të konsulencës për Zyrën e Presidentit të Kosovës. Dokumenti tregon që nuk ka pasur tender të hapur për angazhimin e lobistëve. Kompania e Ballard ka qenë i vetmi konkurrent, nëpërmjet procedurës së negociuar/të mbyllur.

Kjo kompani ka bazën në Florina dhe presidenti i saj është një prej njerëzve më të afërt të presidentit Donald Trump.

Brian Ballard është një prej mbledhëseve kryesor të fondeve për fushatën presidenciale të Trump. Pas fitores së Trump, kompania ka hapur zyre edhe në Washington dhe ka shënuar suksese në nënshkrimin e kontratave të lobimit me subjekte që dëshirojnë të afrohen me administratën e Trump. /Insajderi.com

Këto janë kontratat milionëshe për lobim për të cilat po kërkohet hetim