Komisioni i Venecias i kthen përgjigje Kushtetueses për votën e Etem Arifit

Komisioni i Venecias i kthen përgjigje Kushtetueses për votën e Etem Arifit

Komisioni i Venecias i është përgjigjur Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e votës së deputetit nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, në seancën kur kryeministri, Avdullah Hoti, mori këtë post, transmeton Insajderi.

Përgjigjet e këtij komisioni dhe parashtresat e palëve do të shqyrtohen derisa të merret një vendim nga Gjykata.

Sipas Kushtetueses, gjatë ditëve në vijim pritet të thirret seanca ku merret vendimi përfundimtar nga gjykatësit.

“Seanca për shqyrtimin e kësaj lënde do të mbahet ditëve në vijim, pasi që Gjykata të trajtojë parashtresat shtesë që palët e përfshira në rast i kanë dorëzuar në formë të shkruar pas përfundimit të seancës dëgjimore të mbajtur më 2 dhjetor 2020 dhe pasi që të shqyrtohen të gjitha përgjigjet e pranuara nga Forumi i Komisionit të Venecias përkitazi me këtë çështje”, kanë thënë nga Gjykata Kushtetuese.

“Si edhe në çdo rast deri më tani, sapo Gjykata të marrë vendim, për këtë njoftohen me kohë të gjitha palët e përfshira në rast dhe opinioni”, thuhet në përgjigje të GjK-së për Expressin.

Në seancën e 2 dhjetorit Qeverinë e ka përfaqësuar avokati Besnik Berisha, Lëvizjen Vetëvendosje, Blerim Sallahu, Kuvendin këshilltari i kryeparlamentares, Artan Murati si dhe ka pasur përfaqësues nga KQZ e KGJK.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për Lëvizjen Vetëvendosje, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës. /Insajderi.com