Komisioni për Legjislacion miraton Projektligjin për mundësinë e gjykimit në mungesë të krimeve të luftës

Komisioni për Legjislacion miraton Projektligjin për mundësinë e gjykimit në mungesë të krimeve të luftës

Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, për të qenë e hapur mundësia e gjykimit në mungesë të krimeve të luftës, njofton Insajderi.

Kryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi, theksoi se ky plotësim-ndryshim është tejet i nevojshëm që shërben për vendosjen e drejtësisë për krimet gjatë luftës.

“Ky ndryshim hap rrugën që kriminelët që kanë ideuar, projektuar e ekzekutuar masakrat në Kosovë të gjykohen e dënohen dhe vendoset drejtësi për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.

Sipas Rrustemit, kjo është kërkesë edhe e Prokurorisë Speciale.

Pasi u shprehën pro këtij plotësim-ndryshimi në parim, deputeti i Partisë Demokratike të Kosvës në këtë komision, Hajdar Beqa, tha se kjo qasje e ndryshimeve emergjente nuk është e duhur.

Gjithashtu, vërejtje për trajtimin me urgjencë të këtij plotësim-ndryshimi dha edhe Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kurse, Besnik Tahiri tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbështesë këtë plotësim-ndryshim.

Në mënyrë unanime të gjithë anëtarët e komisionit u shprehën pro tij, përveç deputetit nga Lista Serbe, i cili në momentin e votimit doli nga salla. /Insajderi.com