Komisioni për Siguri pritet të ftoj në raportim Sveçlën dhe Mehmetin për ikjen e Radojçiç

Komisioni për Siguri pritet të ftoj në raportim Sveçlën dhe Mehmetin për ikjen e Radojçiç

Për të dytën herë, Milan Radoiçiq, ka arritur që t’i shmanget arrestimit dhe kësisoj tentativat e dështuara të organeve të ndjekjes për sjelljen e të dyshuarit në bankën e drejtësisë kanë ngritur alarmin tek Komisioni Parlamentar për Siguri dhe Mbrojtje.

Ky komision do të kërkoj sqarime nga Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe nga drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në mbledhjen e radhës.

Anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar për Shqip.com se krahas diskutimit për çështjet e sigurisë në vend do të diskutohet  edhe për ikjen e Radojçiçit në Serbi.

“Sigurisht që në mbledhjen e radhës ku të ftuar do të jenë Ministri i Punëve të Brendshme dhe drejtori i Policisë së Kosovës krahas pikave që do të diskutojmë për sigurinë në vend është edhe kjo temë e Milan Radojçiçit sepse është temë aktuale e sigurisë. Do të kërkojmë sqarime nga drejtuesit e institucioneve të sigurisë”, ka thënë Rexhaj.

Shala: Radojçiç do të tentoj të kthehet përmes rrugëve ilegale për t’i organizuar strukturat paralele

Dikush është i bindur se Radoiçiç do të kthehet prapë në Kosovë përmes rrugëve ilegale me qëllim që të organizojë strukturat paralele serbe në Mitrovicën e Veriut dhe vazhdimin e aktivitetit të tyre kriminal.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se institucionet e sigurisë duhet të koordinojnë veprimet e tyre në atë mënyrë që të mos ketë rrjedhje të informacioneve ngase jo të gjithë pjesëtarët e policisë në Mitrovicën e Veriut janë besnik ndaj shtetit të Kosovës.

“Institucionet e sigurisë duhet të vazhdojnë punën e tyre në përgatitjen e terrenit që personi në fjalë në momentin që haset në Kosovë të arrestohet dhe të vihet para drejtësisë”

“Sepse sipas logjikës së tij, Radojçiç nuk do të qëndroj gjatë në Serbi por do të tentojë që nëpërmjet rrugëve ilegale të futet brenda Kosovës për të vazhduar aktivitetin e tij”, është shprehur Shala.

“Nëse SHBA-të nuk do ta fusnin në listën e zezë Radojçiçin, institucionet do të vazhdonin ta trajtonin mirë”

Për politologun, Behlul Beqaj mbetet problem sesi është trajtuar Radojçiç në të kaluarën nga institucionet kosovare.

Ai thotë se qeveritë e kaluara kishin bashkëpunuar me të përkundër që përflitej se ishte përfshirë në veprimtari kriminale.

Beqaj beson se po që se SHBA-ja nuk e kishte futur Radojçiçinn në listë të zezë ai do të vazhdonte të kishte tretmanin e mirë nga shteti i Kosovës, i cili do e konsideronte atë thjesht si një zyrtar, pjesë e një grupimi politik nga radhët e komunitetit serb.

“Fillimisht ai kishte pasur trajtimin e një zyrtari jo kontestues. Sikur ata të mos shpalleshin të padëshirueshëm nga SHBA-të ne do të vazhdonim t’i trajtonim si zyrtar të zakonshëm  ndonëse ata janë pjesë e një organizimi kriminal”

“Dëmi është i dyfishtë së pari ata janë trajtuar si zyrtar të zakonshëm ndonëse janë të dyshuar për krime së dyti këta aktualisht janë të paarritshëm për drejtësinë e Kosovës”, ka thënë Beqaj.

Ai shton se dështimet e radhës për arrestimin e tij vetëm sa i kanë forcuar strukturat paralele.

Thotë se shteti duhet të shtrijë fuqinë e tij në tërë territorin në të kundërtën ekziston rreziku që të “grryhet” nga brenda vazhdimisht nga elementë destruktivë.

Cila është e kaluara e Milan Radojçiç

Radoiçiq i ishte shmangur arrestimit në vitin 2018 kur banesa e tij ishte kontrolluar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës

Ai kërkohej nga prokuroria si i implikuar në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Por, më pas fletëarresti ndaj tij ishte tërhequr me kërkesë të Prokurorisë Speciale me arsyetimin se organet e rendit kishin dështuar që të sjellin të dyshuarin me kohë që nga lëshimi i urdhër arrestit të parë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte aprovuar kërkesën e Prokurorisë.

Mirëpo, Radoiçiq nuk i ka larë ende hesapet me drejtësinë kosovare.

Me datë 03. 02. 2022 ai kishte tentuar që të futej në Kosovë përmes pikës kufitare në Bernjak dhe gjatë procesit të legjitimit ai kishte kuptuar se ishte në kërkim.

Ishte kthyer mbrapsht në Serbi.

Për këtë arratisje,  Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policor, një kapiteni një rreshteri dhe një zyrtari policor që të gjithë punonjës në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare.