Kompania Huawei ofron të nënshkruajë marrëveshje kundër spiunazhit

Derisa shtohet pritshmëria për shpalosjen e gjeneratës së ardhshme të komunikimit celular ose siç njihet ajo me termin 5G, siguria është bërë një temë e nxehtë debati. Qeveria amerikane ka nisur një fushatë të pashembullt duke u bërë thirrje vendeve të tjera që të ndalojnë kompaninë e fuqishme kineze Huawei që të jetë pjesë e kësaj teknologjie në vendet e tyre.

Kompania Huawei ofron të nënshkruajë marrëveshje kundër spiunazhit

Kompania Huawei është një nga prodhueset kryesore të pajisjeve që janë ndër elementët kryesorë të rrjetit të ri 5G. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Ide njofton nga zyrat kryesore të kompanisë Huawei në Shenzhen të Kinës, se gjiganti i telekomit po premton se do të refuzonte të ndihmonte çdo vend për akte spiunazhi.

Madje kompania pretendon se do të zgjidhte të hiqte dorë nga biznesi sesa të spiunonte.

Pritet që teknologjia 5G të sjellë një risi shpërthyese duke ndërlidhur njerëzit, shtëpitë, makinat, industrinë dhe qytetet. Kjo do të thotë më shumë mundësi për bizneset, por edhe më shumë mënyra që rrjetet dhe të dhënat mund të komprometohen.

Kompania Huawei, është udhëheqëse globale në ndërtimin e rrjeteve 5G, lidhjet e së cilës me qeverinë kineze janë bërë prej kohësh një temë polemikash dhe debati. Uashingtoni argumenton se Huawei mund të detyrohet nga Pekini që të përdorë pajisjet e saj për spiunazh.

Kompania i dënon fuqimisht këto akuza, ndërsa kritikët e shohin atë si një zgjatim të Partisë Komuniste të financuar nga shteti.

Huawei e sheh veten si një firmë ndërkombëtare që mbështetet dhe beson në zinxhirin global të furnizimit me teknologji, thotë zëdhënësi i kompanisë Joe Kelly.

Ren Zhengfei, një ish inxhinier ushtarak e themeloi kompaninë Huawei në vitin 1987 në Shenzen me më pak se 5 mijë dollarë.

Aktualisht, qendra e kompanisë për hulumtime dhe zhvillim në Dongguan është një shembull mahnitës i tjetërsimit në një firmë gjigante.

Vitin e kaluar, fitimet e firmës Huawei ishin më shumë se 100 miliard dollarë dhe thotë se fitimet u rritën edhe në tremujorin e parë, edhe pse Uashingtoni u përpoq ta bllokonte atë nga tregjet globale.