Kompania “Uniteti” ndërpren shërbimin për heqjen e mbeturinave në Vushtrri – fajin i vënë kryetarit të komunës

Kompania “Uniteti” ndërpren shërbimin për heqjen e mbeturinave në Vushtrri – fajin i vënë kryetarit të komunës

Gazmend Morina, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë së pastrimit “Uniteti” ka bërë të ditur se kanë ndërprerë zyrtarisht ofrimin e shërbimeve për Komunën e Vushtrrisë.

Kjo si e pasojë refuzimit të vazhdueshëm të komunës së Vushtrrisë për nënshkrimin e marrëveshjes së re.

Morina nga Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Uniteti” ka thënë se vendimin është marrë sot pas seancës së Kuvendit Komunal duke fajësuar kryetarin e komunës, Xhafer Tahiri e kryesuesin e Kuvendit, Nasuf Aliu për papërgjegjësi.

“Në këtë seancë nga gjysma e asambleistëve u kërkua që unë ta marrë fjalën dhe ta sqaroj situatën e krijuar. Mirëpo, Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nasuf Aliu në mënyrë arbitrare nën diktatin e kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, nuk ma dha fjalën që të prezantoj një informatë për këtë gjendje”, ka thënë ai mes tjerash.

Sipas Morinës si shkak i kësaj pakënaqësie pati asambleist që në mënyrë demonstrative lëshuan sallën e Kuvendit, për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë.

“Si bashkëvendës i juaj me keqardhje ju rikujtoj se zyrtarisht “Uniteti” nuk mund të ofroj shërbimin e heqjes së mbeturinave në territorin e Vushtrrisë, përderisa të kemi një marrëveshje të nënshkruar”, u shpreh kryeshefi i KRM “Uniteti”.

Ai ka kërkuar edhe njëherë në emër të KRM “Unitetit” nga komuna e Vushtrrisë dhe veçanërisht kryetari i komunës që reflektoj pozitivisht për zbatim të ligjit dhe të mos tentoj të ndërhyj politikisht në menaxhim të brendshëm të kësaj kompanie publike.

“Në çdo kohë jam i gatshëm të jap sqarimet e nevojshme para secilit qytetarë dhe para përfaqësuesve të tyre në Kuvendin Komunal, por edhe në ballafaqim direkt në secilin medium që e zgjedh kryetari i Vushtrrisë”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se frika e pushtetit nga një sqarim i imi për situatën e krijuar, tregon më së miri se kush qëndron prapa problemit prej të cilët viktimë janë vetëm qytetarët, përderisa dikush nga pushteti ka tendenca për privatizimin e këtij shërbimi është shprehur Morina.