Komuna e Prishtinës dhe Kompania e Ujësjellësit fajësojnë njëra-tjetrën për problemet me kanalizim

Komuna e Prishtinës dhe Kompania e Ujësjellësit fajësojnë njëra-tjetrën për problemet me kanalizim

Pas reshjeve të mëdha në kryeqytet, Komuna e Prishtinës dhe Kompania Ujësjellësi rajonal “Prishtina” kanë akuzuar njëra-tjetrën për problemet me rrjetin e kanalizimit. 

Komuna e Prishtinës  ka hedhur poshtë akuzat e ujësjellësit rajonal , duke thënë se ka bërë një sërë investimesh të dukshme për përmirësimin e gjendjes.

“Deklaratat e KRU “Prishtina” rreth investimeve në sistemin e rrjetit të kanalizimit nuk qëndrojnë fare. Komuna e Prishtinës është duke i realizuar të gjitha projektet e investimeve kapitale për vitin 2019 në shtrirjen e rrjetit të kanalizimit fekal dhe atmosferik nën pjesë të ndryshme të Prishtinës”, thuhet në reagim.

Komuna e Prishtinës kujton se sanimi dhe mirëmbajtja e kanalizimit fekal është kompetencë e KRU “Prishtina” dhe për këto shërbime kjo kompani inkason të hyra çdo muaj nga qytetarët dhe se Komuna nuk jep leje për kyçje në rrjetin e kanalizimit në territorin e Prishtinës pa pëlqimin paraprak nga KRU “Prishtina”.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës njofton se ka pasur shumë projekte për rregullimin e rrugëve në pjesë të ndryshme të kryeqytetit, e të cilat përfshijnë shumën prej disa milion euro, prej tyre një milion euro vetëm në lagjen “Sofalia” dhe 800 mijë euro në Hajvali.