Komuna e Prishtinës gjobitet për mosrespektim të masave anti-COVID

Komuna e Prishtinës gjobitet për mosrespektim të masave anti-COVID

Kuvendit Komunal të Prishtinës i është shqiptuar gjobë për mos-respektimin e masave anti-COVID’19, meqë kanë organizuar një tubim kushtuar masakrës së vitit 1921 e njohur si ‘Masakra e Prapashticës’, njofton Insajderi.

Si person fizik, kjo gjobë u shqiptua në emër të nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, si organizator i këtij aktiviteti, ndërsa si person juridik – u gjobit Komuna e Prishtinës.

Këtë e kanë bërë të ditur edhe nga Policia e Kosovës, të cilët thonë se gjoba ka ardhur si pasojë e grumbullimit të një grup njerëzish në një aktivitet të organizuar nga Komuna e Prishtinës, e cila edhe u gjobit.

Aktiviteti ka të bëjë me rastin e vendosjes së gur themelit të përmendores përkujtimore për masakrën e vititi 1921.

“Duke parë numrin e personave të grumbulluar përtej lejimeve të parapara me ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19, policia i ka thirrur të pranishmit të shpërndahen, përderisa ndaj organizatorit veprimet policore do të jenë në përputhje me ligjin e sipër cekur. Ndaj Personit Juridik është shqiptuar fletëparaqitja sipas diapozitave të sipërcekura”, thuhet në përgjigjen e policisë për Insajderi-n.

Për këtë organizim i cili përfundoi me intervenimin e policisë, është deklaruar edhe vetë Pacolli, mirëpo ai nuk ka përmendur asgjë lidhur me shqiptimin e kësaj gjobe si pasojë e thyerjes së rregullave pandemike.

Me anë të një postimi në Facebook, Pacolli thotë se në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, motiv dhe përkushtim e kishte ngritjen e mirëqenies sociale dhe infrastrukturës së kësaj ane.

“Ndër të tjera edhe shënimin dhe përkujtimin e çdo ngjarje të ndodhur gjatë Historisë në ketë anë. Njëra nga to është edhe Masakra e Prapashticës, Keçekollës, Sharabanit dhe disa fshatrave përreth, ku sipas të dhënave të mbledhura në terren supozohet se mbi 1520 persona u vranë dhe u prenë me bajoneta, duke mos kursyer as foshnjat në djep e as pleqtë mbi moshën 90 vjeç”, thotë tutje ai.

Një gjobë e ngjashme i është shqiptuar para dy ditësh Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Inspektorati i Punës në Prishtinë, për shkak të mosrespektimit të masave kundër Coronavirusi gjatë një tubimi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme.

Një gjë të tillë e kishte bërë të ditur drejtori i Inspekcionit në Prishtinë, Adonis Tahiri, teksa ka shkruar se “Askush nuk është mbi ligjin!”.

“Zbatimi masave për parandalimin e shpërndarjes së virusit, është i domosdoshëm. Shkeljet sanksionohen në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës – neni 25, paragrafi 1”.

“Iu bëjmë thirrjeve subjekteve politike që të respektojnë ligjet dhe vendimet që vet i kanë votuar. Në të kundërtën, gjobat iu shkojnë në zyrat qendrore të partive, për secilin tubim në Prishtinë”, shkroi Tahiri në llogarinë e tij në Facebook, ku u bë e ditur se ky subjekt politik është dënuar me dy mijë euro gjobë. /Insajderi.com