Komunat kërkojnë studim fizibiliteti për t’i parandaluar vërshimet

Komunat kërkojnë studim fizibiliteti për t’i parandaluar vërshimet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka mbajtur të enjten një takim me kryetarët e  komunave, ku është diskutuar për gjendjen pas vërshimeve në disa pjesë të vendit, njofton Insajderi.

Gjatë këtij takimi, kryetarët e komunave kanë kërkuar nga Ministria e Mjedisit që të bëjë një studim të fizibilitetit sa i përket dëmeve në shtretër të lumenjve, kanaleve për kullim të ujërave dhe situatës në teren, në mënyrë që të parandalohen vërshimet në të ardhmen.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Insajderi, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i cili tha se kryetarët po ashtu kanë kërkuar nga qeveria që më shpejtë të krijojë fondin emergjent për të ndihmuar të riparimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

“Sot u mbajt takimi me kryeministrin Hotin dhe kryetarët e komunave, ku u diskutua për situatën pas vërshimeve. Kryetarët e komunave theksuan se kanë krijuar komisionet për vlerësimin e dëmeve. Janë karakterizuar tri lloje të dëmve: ato në ekonimtë familjare, dëmet në bujqësi dhe në infrastrukturën publike, ku kompetencë janë komunat.

Kryetarët e komunave kërkuan që më shpejtë të krijohen fondi emergjent, në mënyrë që mjetet të shpërndahen nëpër komuna. Së pari duhet të finalizohen raportet në nivel lokal, e pastaj ato duhet të dërgohen në nivel qendror, ku ata në bazë të informatave, do të fillojnë ndarjen e mjeteve”, tha Ibrahimi.

Ndërsa, sa i përket lehtësimit të masave kundër përhapjes së Coronavirusit, Ibrahimi tha se kjo temë nuk është diskutuar, megjithatë shtoi se janë krijuar kushtet për të thirrur një takim të Komitetit Ndërinstitucional anti-COVID’19 dhe të bëhet shqyrtimi i masave.

“Rishqyrtimi i masave duhet të ndodhë sepse nuk është bërë tash e disa javë dhe duke marrë parasysh që numri i komunave në “zonën e kuqe” është zvogëluar, e po ashtu numri i të infektuarve ka shënuar rënie duke e krahasuar me muajt e kaluar, prandaj vlerësojmë se janë krijuar kushtet për të thirrur një takim i Komitetit Ndërinstitucional anti-COVID dhe të bëhet rishqyrtimi i masave”, përfundoi ai./Insajderi.com