Konfirmohet aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit”

Konfirmohet aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit”

Gjykata e Apelit e ka konfirmuar aktakuzën e re të ngritur nga Prokuroria ndaj të akuzuarve në rastin “Syri i Popullit”, Avni Llumnica, Sadri Ramabaja dhe Bajrush Konjusha, transmeton Insajderi.

Në vendim thuhet se Gjykata e Apelit, më 1 shkurt 2021, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Llumnica e Ramabaja, avokatëve Naim Rudari dhe Ramiz Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e saj të nxjerrë më 18 janar 2021, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Pas kthimit në pikën zero të këtij rasti, PSRK-ja kishte prezantuar aktakuzë të re, ku tani të akuzuar ishin vetëm Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha.

Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me Murat Jasharin, i cili nuk është pjesë e aktakuzës, pasi që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, gjykata ndaj tij ka shqiptuar masën së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Ndërsa Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë.

PSRK ka lënë në aktin akuzues edhe Bajrush Konjushën, të cilën e ngarkon me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, i cili pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me 300 euro gjobë.

Në vendimin e Apelit thuhet se pretendimet ankimore të mbrojtësve nuk ishin të bazuara, me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë kishte vlerësuar drejtë kërkesat e paraqitura nga mbrojtësit për hedhje të aktit akuzues.

Arsyetimi i dhënë nga shkalla e parë, sipas Apelit, përmban arsye të mjaftueshme se aktakuza e re e ngritur nga PSRK-ja dëshmon se ka prova të mjaftueshme, për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat që u ngarkohen.

Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë ka dhënë në mënyrë të zgjeruar arsye lidhur me dyshimin e bazuar rreth provave të kundërshtuara dhe drejtë ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural.

Apeli në vendimin e saj ka vlerësuar se, mbështetur në provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe veprimet e përshkruara në aktakuzë, tani ekzistojnë elementet qenësore të veprave penale për të cilat akuzohen të akuzuarit.

Por me konstatimet e Gjykatës Themelore nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila çështjen e kishte kthyer në rigjykim, madje kishte kërkuar që rasti të kthehet nga shqyrtimi fillestar për shkak të shkeljeve të paevitueshme.

Në aktvendimin e Apelit thuhet se “çështja penale kthehet në rivendosje për tu proceduar nga shqyrtimi fillestarë dhe pas rregullimit të aktit akuzues”.

Ky aktvendim kishte bërë që Prokuroria Speciale të paraqes pas disa muajve një aktakuzë të re dhe me shumë ndryshime. /Insajderi.com