Albin Kurti refuzon koalicionin e Vetëvendosjes me Alternativën

Albin Kurti refuzon koalicionin e Vetëvendosjes me Alternativën

Albin Kurti ka refuzuar marrëveshjen për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternativës, ka konfirmuar sot kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari Lila, ka konfirmuar sot se nuk është arritur një marrëveshje mes partisë së saj dhe Vetëvendosjes për një koalicion parazgjedhor.

Sipas saj, arsyeja ka të bëjë me mospranimin e identitetit të Alternativës nga ana e VV-së.

“Nga komunikimet e mia direkte me Kryetarin e VV-së, Albin Kurti, dje jam njoftuar për herë të parë zyrtarisht, se pjesëmarrja jonë në zgjedhje në listë të përbashkët, kushtëzohet me inkuadrimin tonë në listë të VV-së pa shenja dhe emërtim zyrtar të Alternativës si pjesë e koalicionit”, ka shkruar Kusari në Facebook të premten në mbrëmje.

Ajo ka theksuar se oferta për koalicion kanë pasur edhe nga partitë tjera, por, ende nuk ka vendim për koalicion parazgjedhor.

Kusari ka përfunduar duke deklaruar që me rastin e mos mundësisë të arritjes së një marrëveshje me njërën nga partitë e opozitës, Alternativa do të garojnë vetë në zgjedhjet e 6 tetorit.