Konjufca: 2 korriku ishte moment kyç i shprehjes së vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës

Konjufca: 2 korriku ishte moment kyç i shprehjes së vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës

“2 korriku ishte moment kyç i shprehjes së vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës”.

Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të premten ku po mbahet një seancë solemne për nder të 31 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese.

“Jemi mbledhur bashkë për ta shënuar një datë të rëndësishme për historinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Me 2 korrik të vitit 1990, delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës e shpallën atdheun tonë Republikës. Në atë kohë ky ishte akti më i rëndësishëm i përfaqësuesve të popullit qysh pas konferencës së Bujanit. Para dyerve të Kuvendit të sotshëm, delegatët e Kuvendit të atëhershëm e votuan deklaratën e 2 korrikut të cilën e lexoi Muharrem Shabani”.

“Kjo shpallje ndodhi në okupim, vendi ynë ishte i pushtuar dhe nën masat e ashpra të regjimit të Serbisë dhe Jugosllavisë të asaj kohe. Një popull i tërë u bë cak i ndëshkimeve të ashpra, burgosjeve të vazhdueshme, dhunës policore, vrasjeve në ushtri e qindra vrasjeve të qytetarëve në protesta dhe demonstrata”, tha kryetari i Kuvendit.

“2 korriku është momenti kyç i shprehjes së vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës. Përmes shpalljes së Kosovës Republikë e pavarur nga Serbia, delegatët e 2 korrikut ishin mishëruesit e vërtetë të vullnetit kolektiv të popullit tonë për liri dhe të drejtën e vetëvendosjes. Mbi supët e tyre peshonte aspirata e kamotshme e popullit tonë”.

“Sa e gjatë dhe e vështirë ishte përpjekja jonë për liri e pavarësi dhe sovranitet. Ishte një punë titanike e plot e plot brezave të mbushur me sakrifica të panumërta gjatë të cilave një popull i tërë nuk kurseu asgjë për t’u çliruar. Lufta e drejtë dhe rënia e dëshmorëve e martirëve ja dhanë vulën lirisë sonë mbi të cilën s’ka më kompromise të mëtutjeshme”. /Insajderi.com