Konjufca: Dita e Evropës e gjen Kosovën pa liberalizim të vizave

Konjufca: Dita e Evropës e gjen Kosovën pa liberalizim të vizave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Dita e Evropës e gjen Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, njofton Insajderi.

Siç u shpreh ai, kjo përveçse është diskriminim dhe padrejtësi, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij.

“Qytetarët e Kosovës, edhe pse të shpërfillur, vazhdojnë të besojnë fort në politikat integruese evropiane dhe të shpresojnë që, në një të ardhme të afërt, Evropa do t’ua hapë dyert, siç i hapi për shumë shtete e popuj”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e tij në Facebook.

“Ndërsa institucionet tona do të punojnë edhe më me përkushtim e vendosmëri, ndershmëri e përgjegjësi drejt përmbushjes së të gjitha kritereve për realizimin e ëndrrës sonë të kamotshme – integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në shtëpinë e përbashkët evropiane”.

“Pa Kosovën mozaiku i familjes së bashkuar evropiane nuk mund të quhet i plotësuar, sikundër as vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë themelet e Bashkimit”, shkruan tutje ai. /Insajderi.com