Konjufca: E kam të vështirë t’i drejtohem Albinit si kryeministër

Konjufca: E kam të vështirë t’i drejtohem Albinit si kryeministër

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufa, i cili njëherësh është anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi të shtunën se e ka të vështirë që liderit të partisë, Albin Kurti, t’i drejtohet me ‘kryeministër’, njofton Insajderi.

Këtë deklaratë Konjufca e bëri në konferencën e Lëvizjes Vetëvendosje, në 16-vjetorin e themelimit, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Albin Kurti.

“Zakonisht pak gjëra në jetë më duken të vështira, por më vështirë po e kam t’i drejtohem Albinit kryeministër, bile menzi po mësohem kadalë-kadalë. Jemi mësuar me Albin. Kur po i them kryeministër po më duket si me i thënë më pak se Albin”, tha i pari i Kuvendit.

Konjufca tha se Vetëvendosja është një trashëgimi shumë e rëndësishme politike për Kosovën, duke shtuar se partia ka dalë nga gjiri i popullit.

“Vetëvendosje është nga qytetarë tipikë të shtresave të ndryshme të popullit tonë që ka qenë gjithmonë me halle. Vetëvendosje kurrë s’ka pretenduar që po shpik diçka të re. Kemi qenë të vetëdijshëm se i përkasim një përpjekje të gjatë të popullit tonë për me qenë rahat në tokë të vet. Duam të jetojmë bashkë dhe rahat, pa probleme. Vetëvendosje ka qenë pa hile dhe prandaj është përqafuar nga populli shqiptar”./Insajderi.com