Konjufca-familjeve të mërgimtarëve që vdiqën në aksident: Jo vetëm ju, por e tërë Kosova është pllakosur në zi

Konjufca-familjeve të mërgimtarëve që vdiqën në aksident: Jo vetëm ju, por e tërë Kosova është pllakosur në zi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i është drejtuar me një shkrim familjeve Binakaj, Rrustemi, Kolmekshaj, Kastrati, Bellanica, Maloku, Hoxha, Idrizaj e Sylmetaj, si dhe të afërmve e miqve të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës në Kroaci.

Ai u ka shprehur ngushëllime duke thënë se “jo vetëm ju, por e tërë Kosova është pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje”, përcjell Insajderi.

“Këtë herë, përmes udhëtimit të tyre të fundit, 10 bashkatdhetarët tanë iu kthyen Kosovës në trajtën më të dhimbshme – nëpër arkivole.”

“Në këto momente tejet tronditëse për ju që humbët më të dashurit tuaj dhe për mbarë Kosovën, jemi bashkë dhe pranë njëri-tjetrit për të shprehur solidaritetin vëllazëror, për të ndarë dhimbjen dhe për ta përballuar më lehtë pikëllimin për jetët e humbura në këtë tragjedi të dimensioneve tejkombëtare, si dhe për t’u lutur për shërimin e të lënduarve”, ka shkruar Konjufca në profilin e tij në Facebook.

Në aksidentin e së dielës që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, ku u përfshi një autobus me targa të Kosovës mbetën të vdekur 10 persona, ndërsa u lënduan 45 udhëtarë.

Autobusi i linjës Frankfurt – Prishtinë, kishte 67 udhëtarë, të gjithë shqiptarë që po vinin në Kosovë për pushime.

Në autobus ishin dy shoferë, njëri prej të cilëve vdiq në aksident, derisa tjetri, që ishte duke e drejtuar autobusin, është në paraburgim prej një muaji në Kroaci.

Masa e paraburgimit është vendosur dje nga Gjykata e Qarkut në Slavonski Brod./Insajderi.com