Konjufca i kërkon ndihmë ministrit të Jashtëm polak për liberalizimin e vizave

Konjufca i kërkon ndihmë ministrit të Jashtëm polak për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga homologu i tij polak që ta mbështesin liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, shkruan Insajderi.

Konjufca gjatë një takimi me  Ministrin e Jashtëm polak, Jacek Czaputoëitcz, po ashtu i ka kërkuar mbështetjen në avancimin e pozicionit të Kosovës drejt BE-së.

“Takimi i radhës ishte me Ministrin e Jashtëm polak, Jacek Czaputoëitcz pas përfundimit të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të Grupit të Vishegrad me vendet e Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Pragë”.

“Në këtë takim kam theksuar nevojën e avancimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Polonisë dhe kam kërkuar nga Polonia të vazhdojë mbështetjen e saj për Kosovën për heqjen e regjimit të vizave, mbështetjen në avancimin e pozicionit të Kosovës drejt BE, si dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, ministri polak i Punëve të Jashtme, i ka konfirmuar Konjufcës mbështetjen për rrugën euro atlantike të Kosovës.

“Ministri Czaputoëicz e ka uruar Kosovën për institucionet e reja, ndërsa ka përshëndetur përkushtimin e Qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke thënë se rezultatet e kësaj lufte do ta përshpejtojnë integrimin e Republikës së Kosovës në strukturat euro-atlantike. Ministri i jashtëm polak më ka konfirmuar mbështetjen polake në procesin e integrimeve dhe në përgjithësi sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, ka shtuar Konjufca.

Po ashtu, ministri Czaputoëitcz shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar më intensivisht në të ardhmen, duke e mirëpritur në takime shumëpalëshe që do të organizohen në Varshavë në një të ardhme të afërt.

“Unë në këtë takim e kam siguruar homologun polak se Kosova është e përkushtuar seriozisht në bashkëpunimin rajonal dhe me gjerë në rrafshin evropian”, përfundoi Konjufca. /Insajderi.com