Konjufca paralajmëron ministrin e Qeverisë Haradinaj se mund të përfundojë në burg

Konjufca paralajmëron ministrin e Qeverisë Haradinaj se mund të përfundojë në burg

Shefi i Grupit Paralamentar të Levizjes Vetvendosje, Glauk Konjufca, në interpelancën në lidhje me kontratën për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, ka thënë se kontrata me “Contour Global” është e dëmshme dhe se dëmtohet buxheti i shtetit.

Sipas Konjufcës, kjo kontratë është e dëmshme sepse riskun dhe koston e saj e paguajnë taksapaguesit kosovarë.

“Ku ka kësi kontrate me 18.5% të kthimit në investime, me kësi lloj kushtesh, ku gjithë riskun dhe koston e paguan qeveria e Kosovës me kombinime: qytetarët prej xhepit, qeveria drejtpërdrejt prej buxhetit”, ka thënë Konjufca.

Ndër të tjerash, Konjufca ka këshilluar ministrin Lluka, se duhet pasur kujdes me nënshkrimin e kësaj kontrate sepse “mund të përfundoj në burg”.

“Ministër, mos e merr si kërcënim këtë që po ta them, merre si këshillë edhe si sugjerim. Është rrezik që me këtë kontratë dikush të përfundoj në burg. Kështu që kujdes, dhe pyeti ata dy ministrat më herët se përse nuk e kanë nënshkruar këtë kontratë?”, ka thënë Konjufca.