Konjufca pret në takim Abbottin, flasin për situatën politike e pandeminë

Konjufca pret në takim Abbottin, flasin për situatën politike e pandeminë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale politike, përmbylljen e procesit me zgjedhjen e presidentes së vendit dhe menaxhimin e situatës me pandeminë.

“Ai ka uruar Konjufcën për detyrën dhe ka shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit. Në këtë kontekst, ambasadori Abbott ka ofruar mbështetje për procesin e reformës zgjedhore, sikurse edhe për punën e Kuvendit të Kosovës bashkë me trupat përcjellëse. Kurse kryetari Konjufca ka falënderuar ambasadorin Abbott për ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, bëhet e ditur se Konjufca e ka njoftuar ambasadorin Abbott se synim i tij në krye të këtij institucioni është miratimi pa vonesë i ligjeve, zhvillimi i diplomacisë parlamentare dhe këmbimi i praktikave të mira me Mbretërinë e Bashkuar./Insajderi.com