Konjufca: Shpend Ahmeti duhet të kontrollohet sikurse kryetarët e PDK-së e AAK-së

Konjufca: Shpend Ahmeti duhet të kontrollohet sikurse kryetarët e PDK-së e AAK-së

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje do të veprojë njëjtë ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, sikurse me kryetarët e komunave të tjera që vijnë nga radhët e partive të tjera si “PDK, AAK dhe të tjerat”.

Konjufca i ka reaguar në Kuvendin e Kosovës deputetit të PSD-së, Dardan Molliqajt, të cilit i ka thënë se PSD-ja është bërë bashkë me partitë opozitare për të mos e rrëzuar nga pozita e nënkryetarës së Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti.

“U bonët bashkë së bashku me partitë e tjera dhe me mazhorancën për të mos e rrëzuar nënkryetaren Aida Dërguti”, ka thënë Konjufca.

Konjufca po ashtu ka folur për qeverisjen lokale në Prishtinë dhe për ish-anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje e kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

“Shpend Ahmeti nuk është më anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, kjo i bjen që ai duhet të kontrollohet sikurse kryetar i PDK-së, AAK-së e partive të tjera. Shpend Ahmeti duhet me kuptu që nuk ka kurrfar obligimi ndaj programit të Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilën kishte dëshirë me dalë e me mbledh vota”, ka thënë Konjufca.

“Ju duhet të mësoheni me këtë edhe pse mundet me ju ardh pak keq. Ti nuk mundesh me folë në mënyrë parimore për Lëvizjen Vetëvendosje. Ti nuk mundesh me fol në mënyrë neutrale për Lëvizjen Vetëvendosje. Ti po takon aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje çdo ditë. Kështu, qysh mundesh ti me fol në mënyrë objektive për Vetëvendosjen”, ka thënë ai. /Insajderi.com