Konjufca: Shteti ka kolapsuar kurse aeroporti u shndërruar në pistë të Erdoganit

Konjufca: Shteti ka kolapsuar kurse aeroporti u shndërruar në pistë të Erdoganit

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka thënë se me arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq, është parë një kolaps i të gjitha segmenteve të shtetit.

“Dje kemi pa në praktikë kolapsin e institucioneve të Kosovës. Presidenti e dënon, kryeministri thotë nuk kam info, ju kryeparlamentar e dënoni, por si është e mundur që ka struktura në Kosovë që marrin veprime pa e ditë struktura vendimmarrëse”, tha Konjufca.

Për më tepër, Konjufca tha se aeroporti dje është shndërruar në pistë të Erdoganit.

“Si është e mundur që aeroporti jonë të shndërrohet në një pistë të Erdoganit, e Kosova t’i çojë qytetarët me thes në kokë në Turqi”, tha Konjufca.

Me këtë veprim Konjufca tha se janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Nuk mundesh me i kthy prapë qytetarët që mendojnë ndryshe nga regjimi prej të cilit kanë ikur. Kjo nuk mbyllet me shkarkimin e ministrit dhe drejtorit kjo shkon lart deri te udhëheqja e qeverisë”, tha ai.