Konjufca takohet me ambasadoren e Holandës, flasin për situatën politike

Konjufca takohet me ambasadoren e Holandës, flasin për situatën politike

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur të hënën në takim ambasadoren e Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, në takim është diskutuar për situatën e gjithëmbarshme politike në vend, me theks të posaçëm në situatën me pandeminë, përcjell Insajderi.

Lobbezoo e ka përgëzuar Konjufcën për detyrën e re dhe ka shfaqur shpresën që procesi zgjedhor të përmbyllet me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

“Të dy palët thanë se arritja e kontingjentit të parë të vaksinave është lajm i mirë për Kosovën dhe shfaqën shpresën që sasi të tjera të vaksinave do të sillen së shpejti në Kosovë në mënyrë që të fillojë edhe vaksinimi i popullsisë”.

“Të dy bashkëbiseduesit kanë shfaqur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, duke mbështetur punën e Kuvendit të Kosovës dhe trupave të tij”.

Tutje, bëhet e ditur se kryetari Konjufca ka thënë se në mandatin e tij synon ta dinamizojë punën në Kuvend, duke pas parasysh raportin e forcave në organin legjislativ.

“Në këtë kontekst, ai ka thënë se mbetet përkushtim i tij që Kuvendi të miratojë sa më shumë ligje, të cilat do të jenë në funksion të interesit qytetar”./Insajderi.com