Koreja e Jugut dhe SHBA nuk arrijnë marrëveshje për koston e trupave amerikane

Koreja Jugore dhe SHBA nuk arritën të arrijnë një marrëveshje për kontributin financiar të Seulit për koston e qëndrimit të rreth 28.500 trupave amerikane në vend në fund të dy ditëve të negociatave, e fundit para se të skadojë marrëveshja ekzistuese më 31 dhjetor.

Koreja e Jugut dhe SHBA nuk arrijnë marrëveshje për koston e trupave amerikane

Ligjvënësit në Parlamentin e Koresë së Jugut thonë se Uashingtoni kërkoi deri në 5 miliardë dollarë në vit, pesë herë më shumë sesa Seuli pranoi të paguante për këtë vit.

Si pjesë e politikës së tij “America First”, presidenti Donald Trump ka kërkuar që shumë aleatë të SHBA-së, përfshirë anëtarët e NATO-s dhe Japoninë, të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, transmeton KosovaPress.

Ai shpesh ka akuzuar Korenë e Jugut se është një vend i pasur që po përfiton nga forcat ushtarake amerikane në vend si trashëgimi e Luftës Koreane, e cila u zhvillua nga 1950 deri në 1953, dhe për shkak të kërcënimit të paraqitur nga Koreja e Veriut.

Mosarritja e një marrëveshjeje mund të çojë në të njëjtin skenar si vitin e kaluar kur skadoi afati dhe u arrit një marrëveshje prapavepruese.

Mosarritja e një marrëveshjeje, paralajmërojnë ekspertët, mund të rrezikojë tërë ardhmërinë e pranisë së SHBA në Korenë e Jugut. Pasoja e parë është vendosja e menjëhershme e mijëra jugkoreanëve që shërbenin në ushtrinë e SHBA në pushim pa pagesë.

Ka pasur disa protesta në Korenë e Jugut kundër kërkesave të SHBA për rritje të alokimeve monetare, me sondazhet që tregojnë se një shumicë e madhe e banorëve kundërshtojnë rritjen e këtyre fondeve, por edhe se një shumicë bindëse është në favor të mbetjes së forcave amerikane në Korenë e Jugut.