Kosnett: Kosova të mos ketë rezerva për CEFTA-në dhe Minishengenin

Kosnett: Kosova të mos ketë rezerva për CEFTA-në dhe Minishengenin

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se mbështetja për prosperitetin e Kosovës, sundimin e ligjit dhe paqen me fqinjët, janë aspektet kryesore strategjike të vendit të tij dhe se ndihma ekonomike për Kosovën ka qenë gjithmonë e përqendruar t’i mundësojë vendit rrugën drejt së ardhmes, njofton Insajderi.

Ai gjatë një takimi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Oda Ekonomike e Kosovës, ka folur për marrëveshjen për normalizim ekonomik, e cila u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia në Uashington më 4 shtator, me ndërmjetësimin e palës amerikane.

Diplomati amerikan e ka quajtur të rëndësishme partneritetin e fuqishëm që shteti amerikan ka me komunitetin e biznesit në Kosovë, duke thënë se qëllimi kryesor i politikës amerikane viteve të fundit kanë qenë iniciativat ekonomike për t’iu mundësuar qytetarëve një të ardhme më të mirë.

“Është e vështirë të ndash politikën nga ekonomia, por mund të ju them se kur injorohet ekonomia dhe kur injorohen përfitimet që qytetarët e zakonshëm shohin nga iniciativat politike, është shumë e vështirë të ecësh përpara,.

Diplomati amerikan shpjegoi gjithashtu se Ambasada amerikane dhe partnerët e saj në Uashington mbështesin Kosovën dhe Serbinë në zbatimin e marrëveshjes së 4 nëntorit, duke pasur parasysh se përmirësimi i jetës së qytetarëve është thelbësor për ndërtimin e ekonomisë së rajonit.

“Nëse shikoni në hartën e Ballkanit, Kosova është në mes të hartës. Fqinjët e Kosovës kanë nevojë për Kosovën po aq sa Kosova ka nevojë për fqinjët e saj, për të ndërtuar një ekonomi rajonale dhe për të ndërtuar një infrastrukturë rajonale”.

Ai ndërkaq shtoi se është e rëndësishme që Kosova të tejkalojë rezervimet e saj rreth CEFTA-s dhe Mini-Shëngenit dhe të punojë me partnerët e saj rajonalë./Insajderi.com