Kosnett përgëzon Qeverinë për vendimin rreth pajisjeve 5G

Kosnett përgëzon Qeverinë për vendimin rreth pajisjeve 5G

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës rreth pajisjeve 5G, njofton Insajderi.

Kosnett ka përgëzuar qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti për atë të cilën ky i fundit e tha gjatë ditës së sotme, se vendi nuk do të blejë e as të shfrytëzojë pajisje 5G që vijnë nga shitës të pabesueshëm.

Me anë të një postimi në Twitter, Kosnett tha se do të vazhdojnë të punojnë bashkë drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë dixhitale të Kosovës.

“Ne e përgëzojmë Kosovën për sigurimin që rrjeti i saj 5G vjen përmes rrugëve të pastëra, dhe jo nga shitës të pabesueshëm, në përputhje me marrëveshjen e Washingtonit. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë dixhitale të Kosovës”, ka shkruar Kosnett. /Insajderi.com