Kosova 2020: Harrojeni Evropën, mbyllni dritaret dhe merrni heroinë

Tri lajmet që dëshmojnë se Kosova është një karantinë, ku vdekja është më e afërt sesa jetesa normale

Kosova 2020: Harrojeni Evropën, mbyllni dritaret dhe merrni heroinë

Lajmi i parë: Harrojeni Evropën

Urime, vizat mund të hiqen më 2020

Historia e përdorimit të liberalizimit të vizave si një dhuratë për Kosovën daton qysh nga viti 2012 kur një shampanjë ishte hapur në zyret e Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Qysh atëherë shumë “shampanja” të tjera janë hapur për të shënuar liberalizimin e vizave që nuk ndodhi kurrë. Në mënyrë krejt të çuditshme, një shoqërie të zhytur në varfërim, liberalizimi u bë krye tema. Thuajse kosovarët janë të pasur por nuk po kanë viza për të udhëtuar jashtë. Megjithatë klasa politike në vend, të gjithë edhe ata që nuk kanë qenë në pushtet, e kanë përdorur këtë element për të krijuar një momentum kundër njëri-tjetrit ose për të fituar poenë për vete. Pra fillimisht e kanë krijuar si një prioritet dhe më pas e kanë përdorur atë për ta vënë në prioritet vetën, partitë e tyre, dëshirës për të marrë ose mbajtur pushtet.

Kësisoj, kjo klasë politike ka qenë në gjendje që të krijoj një seri premtimesh me liberalizim vizash duke përdorur javët e muajt si afate por kur ka ndodhur refuzimi, ata e kanë përdorur këtë për të vënë gishtin e fajit, o tek njëri-tjetri o tek BE-ja. Në fakt, kjo e dyta, fajësimi i BE-së është një formë e re e fajësimit për një proces i cili kryekëput është pasojë e mos punës dhe kriminalizimit të shtetit.

Tash ata që shtetin e Kosovës e kanë bërë një shtet kriminal, kanë filluar ta fajësojnë BE-në e cila tashmë sipas tyre, është kundër Kosovës dhe nuk i do shqiptarët. Duke mos e pasur një opozitë që organizon dhe këmbëngulë në përgjegjësi për ata që kanë gënjyer, sepse përpos VV-së të gjitha partitë e tjera kanë faj, ata që kanë qëlluar në pushtet në kohët e kobshme kur BE-ja ka shuar shpresat e kosovarëve për liberalizim, kanë fajësuar opozitën, sikurse rasti i demarkacionit me Malin e Zi, e tashmë kur Hahn përmendi vitin 2020, po fajësohet edhe BE-ja.

Kësisoj, ekziston mundësia që kosovarët deri në vitin 2020 të shndërrohen edhe në anti-evropian, nëse pranojnë t’i besojnë retorikës tepër të rrezikshme të shumë politikanëve që dështimin e tyre, ia faturojnë BE-së.

Të gjendur në këtë situatë, kosovarët e kanë vetëm një gjë të sigurt: ta harrojnë Evropën dhe të qëndrojnë të izoluar. Por izolimi nuk nënkupton vetëm vizat.

Lajmi i dytë: Mbyllni dritaret – ajri vrasës

Instituti Kombëtar i Shëndetit: Mos i hapni as dritaret

Të gjendur në situatë jashtëzakonisht dëshpëruese, ku BE-ja thotë se nuk mund t’i hapë dyert për ta, kosovarët marrin edhe një lajm tjetër. Në të njëjtën natë, kur Hahn ishte në Prishtinë, kryeqyteti kosovar ishte më i ndoturi në gjithë botën.

Institucionet sikurse ai për Shëndetin Publik doli me një kërkesë dhe urdhër për qytetarët: mos i hapni dritaret. Një kosovar i cili po refuzohet të dalë në Evropë, tashmë urdhërohet që të mos dalë as në qytet. As dritaret mos t’i hapë.

Për 17 vitet e fundit, kjo klasë politike e cila ka qenë e paaftë për të ndërtuar një shtet të cilit BE-ja do të mund t’i besonte së paku që qytetarët e këtij shteti të udhëtojnë lirshëm pa viza, është treguar mjaftë e aftë për të shkatërruar krejt eko-sistemin në Kosovë.

Prishtina sonte me ajrin më të ndotur në botë [FOTO]

Ka lejuar që të kemi dy termocentrale të cilat lirojnë tym të thëngjillit që sipas të dhënave nga Komisioni Evropian ka shkaktuar vdekjen e mbi 1.400 qytetarëve kosovarë, duke mos bërë asgjë që të vendosen një palë filtra. Është lejuar shkatërrimi i lumenjve nga kompanitë e gurthyesve të cilët kanë gërryer gjithçka që iu ka dalë përpara, duke mos i dënuar asnjëherë. Është lejuar funksionimi i bizneseve që prodhojnë beton e zall, por duke mos iu vendosur asnjë taksë ekologjike. Është lejuar që homolgimi i veturave të bëhet pa u kontrolluar emetimi i gazrave në vetura. Është lejuar gjithçka që ka ndotur këtë vend dhe nuk është bërë asgjë për ta bërë këtë vend së paku të pastër.

Lajmi i tretë: Rritet përdorimi i heroinës

Kapen 113 kilogramë drogë në Prishtinë, arrestohen 4 persona

Në po të njëjtën javë, kur kosovarët morën lajmin se duhet ta harrojnë Evropën deri në vitin 2020, dhe u lutën që të mos i hapnin dritaret për shkak të ajri të ndotur, doli lajmi se në Prishtinë, përkatësisht në qendrën Mati 1 janë gjetur mbi 100 kilogram heroinë. Plus një person i vdekur.

Përtej këtij lajmi, është shqetësues fakti se Policia tregon në konferencë për media, sesi shifrat e përdoruesve të heroinës janë rritur ndjeshëm. Heroina, për të gjithë ata që nuk e dijnë saktësisht, është një nga drogat më vdekjeprurëse në botë.

Fakti që janë zënë 100 kilogram heroinë në një banesë në Prishtinë është një lajm i mirë për Policinë, por është një lajm alarmues për kosovarët, pasi tregon se përdorimi i kësaj droge tashmë ka gjetur vend në masë. Nëse janë zënë 100kg paramendoni sa kilogram të tjerë qarkullojnë.

Duke mos dashur që në asnjë mënyrë të tingëllojë si një thirrje për përdorimin e kësaj droge, duhet të vihet në pah edhe njëfarë arsye e përdorimit të heroinës. Jetesa në një vend ku izolimi shkon deri në dhomë, është e natyrshme që devijohet në një dorëzim.  Përdoruesit e heroinës dorëzohen në opiumin e kësaj droge, dhe krejt kjo është e natyrshme për një kosovar.

Heroina mund të injektohet, thithet se të pihet. Shumë përdorues fillojnë të përdorin heroinën në formën e gëlltitjes, dhe pastaj kalojnë në injeksionet intravenoze pasi toleranca ndaj heroinës rritet, njashtu sikurse po rritet toleranca e kosovarëve ndaj padrejtësive, mungesës së drejtësisë, varfërisë dhe izolimit.

Një prej arsyeve të cilat e bëjnë heroinën kaq vartëse është aftësia për të prodhuar një lëndë “rush” ose “high”  që është përshkruar si ngjashëm me atë të orgazmës dhe zgjat nga disa sekonda deri në një minutë. Krejt kjo situatë, ngjason me reagimin e kosovarëve kur diçka tepër shokuse ndodhë: një reagim në rrjete sociale apo nëpër TV dhe asgjë tepër.

Por njashtu sikurse në heroinë, kur efekti fillestar largohet, gjendja tjetër mund të përshkruhet si diçka midis përgjumjes dhe vigjilencës, ashtu bëhet edhe kosovari disa ditë pasi “lajmi shokues” të kalojë.

Kjo gjendje e përdoruesve të heroinës, quhet të qenit “përgjumësh” . Ashtu sikurse kosovarët: përgjumshëm.

Por mbi të gjitha, heroina është një depresant që ngadalëson aktivitetin e sistemit nervor qendror.

Deri në vitin 2020, kosovarët mund të jenë totalisht në depresion dhe me sistem nervor të shkatërruar. E nëse kjo gjendje vazhdon edhe më gjatë, efektet mund të jenë shkatërruese. A do t’i mbijetojmë vitit 2020? Kjo na takon neve.  Askujt tjetër nuk i intereson nëse je i droguar. Duhet ta kalosh vet “gjumin”, ta hapësh dritaren dhe të shikosh drejt Evropës. /Insajderi.com