Kosova do t’i nënshtrohet propagandës së Erdoganit kundër gylenistëve

Kosova do t’i nënshtrohet propagandës së Erdoganit kundër gylenistëve

Kosovarët nga 10 korriku do t’i nënshtrohen propagandës së Presidentit të Turqisë, Regjep Tayp Erdogan, kundër përfaqësuesve të Fetullah Gylen, të quajtur gylenistë, shkruan Gazeta Insajderi.

Mediumi turk “TRT” ka njoftuar se në ditën e përvjetorit të grusht shtetit kundër presidentit Erdogan kanë organizuar një numër të madh të aktivitetesh si fushatë vetëdijësuese kundër organizatës “FETO”.

Në këto aktivitete do të ketë ekspozita të fotografive dhe panele diskutimi për demokracinë, të gjitha këto do të mbahen në vendet e rajonit si Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoni Veriore, Serbi, Kroaci, Mal i Zi, Shqipëri dhe Kosovë, shkruan Insajderi.

Këto aktivitete do të fillojnë nga 10 korriku si pjesë e aktiviteteve të ditëve të Korrikut, Ditën e Demokracisë dhe Bashkimin Kombëtar. Të gjitha këto zhvillime do të vazhdojnë për një javë duke filluar me premierën e filmit “The network”.

Si pjesë e këtyre aktiviteteve, do të jetë një ndeshje miqësore në mes të ushtarëve turq dhe futbollistët veteranë të Bosnjës në Zenicë ku do të mbahet më 13 korrik në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Veteranëve të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Shoqatën e Veteranëve. Po të njëjtën ditë, do të organizohet një ekspozitë e fotografisë dhe konferencës. /Insajderi.com