Kosova duhet të shpëtohet nga gënjeshtrat

Kosova duhet të shpëtohet nga gënjeshtrat

Nuk ka shtet të shëndoshë pa arsim cilësor, pa shëndetësi e ekonomi të zhvilluar. Ne duhet të thërrasim pjesën më të shëndoshë të trurit të Kosovës që vepron jasht saj, t’i bashkohet atyre që kanë vizion dhe të projektojnë ardhmërinë e saj.

Raporti i mëse njëzetë viteve të pasluftës është argument bindës se një popull i tërë, i zhytur në varfëri, është pasqyrë e shtetit të Kosovës nën qeverisje të njerëzve jokompetentë. Jo vetëm kaq, Kosova është pasqyrë e thyer ku asnjë mik i saj nuk dëshiron t’a shoh veten aty. Këtë të gjithë e dijmë tani e poqëse nuk e keni ditur, dijeni, s’është shumë vonë!

Si të shpëtohet, të mos gënjehet Kosova? Një gjë duhet t’a kemi të kjartë : alternativat për zgjedhjet e problemeve të mbrenshme, nuk viejnë nga jasht. Ndërsa problemet e jashtme janë rezultat e këtyre të parave. Të rikujtojmë se ne me votën tonë “ demokratike” i kemi lejuar vetes të bëhemi bashkpunëtorë të një klase politike jashtzakonisht të ligë.

Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë arsye, që pinë ujë në të mirë të Kosovës, kur aludohet se aleatet e Kosovës kanë zgjedhur Thaçin kryeministër e president me qëllim të përfundimit të një kapitulli me Serbinë. Jo. Kosova nuk duhet më të gënjehet. Askush nuk ka vendosur deri më sot për Kosovën pos rrjetit mafioz që është thurur prej mëse njezetë vitesh.

Ne ishim bashkpunëtorët e këtij rrjeti, ne e kemi ndihmuar zgjerimin e tij, ne kemi vendosur vet e tani të kërrusur, kokëulur, skuqemi në fytyrë. Nuk e kuptuam drejtë demokracinë, ishim të mësuar një të punojë për dhjetë. Ata që ne iu besuam të punojnë me mjetet e demokracisë, krijuan një sistem qeverisës, përbindësh të fryteve të saj. Sot n’a “janë hapur sytë me gisht”.

Për vetem rreth tetëdhjetë e dymijë njerëz tanë sa i kemi në sektorin publik, e ulēm zërin ne gati dy milion të tjerë dhe zgjatnim kokën çdo ditë të shohim pjatat e tyre mbi tryezë. Përderisa klasa politike i shfrytzonte ata në rrjetin e korrupcionit, ne i mbyllnim sytë sepse aty kishim një familjar të cilit nuk duhej t’i prishej ritmi dhe qetësia.

Ne pra, me votën tonë po e luajmë rolin e viktimës, apo u bëmë viktimë me dashje e këtij rrjeti që na e zë frymën pa mëshirë. Aleatet ndihmuan krijimin e shtetit tonë e ne e mashtruam veten, menduam se ata edhe do t’a ndërtojnë e do të përkujdesen për mirëmbajtjen e tij. Ku gabuam? Ne nuk i kërkuam llogari asnjëher asnjë qeverisjeje. Këtë duhet ta bëjmë patjetër.

Qeveritarët sot duhet t’a kuptojnë se lëkura e tyre nuk mund të mbrohet më në këtë klimë që mbretëron në Kosovë. Karriera e tyre politike duhet të sakrifikohet për lirinë e shtetit, jetën e qytetarit. Poqese qeveritarët nuk e kanë këtë aftësi që të lexojnë në ballin e çdo qytetari, populli mundet dhe duhet t’i largoj nga aty ku janë.

Është detyrë e shenjtë e çdo qytetari që e don jetën e tij dhe të atyre që e rrethojnë. Në popull kemi mendje të shëndosha. Është momenti i fundit që të shpëtohet sistemi arsimor. Është momenti i fundit që t’i ruajmë për Kosovën ata pak punëtorë shëndetësorë. Është koha e fundit që t’i përvishemi tokës sonë e të prodhojmë.

Nuk ka shtet të shëndoshë pa arsim cilësor, pa shëndetësi e ekonomi të zhvilluar. Ne duhet të thërrasim pjesën më të shëndoshë të trurit të Kosovës që vepron jasht saj, t’i bashkohet atyre që kanë vizion dhe të projektojnë ardhmërinë e saj. Nuk ka sistem politik shtetëror pa njerëz që dijnë politikëbërje. Kosova meriton më shumë. Kosova duhet të shpëtohet nga gënjeshtrat.

Shkruan: Mirishahe Limani Hiler.

Limani Hiler, ka punuar në Departamentin e Arsimit në Gjenevë, tash është punëtore e pavarur, ka kabinetin e saj privat për fushën sociale “InfoSocioMLH”.