Kosova me dy kryeministra: Kurti dhe Haradinaj prezantohen si drejtues të Qeverisë

Kosova me dy kryeministra: Kurti dhe Haradinaj prezantohen si drejtues të Qeverisë

Të dy takimet e mbajtura në sheshet e Prishtinës kanë qenë të rezervuara për Ramush Haradinajn dhe Albin Kurtin.

E të dytë janë prezantuar si kryeministra të ardhshëm të Kosovës.

I pari ka qenë Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje i cili teksa ka prezantuar para qytetarëve të mbledhur në Sheshin Zahir Pajazaiti, Albin Kurtin e ka quajtur kryeministër të Republikës së Kosovës.

“Tash dua t’ia jap fjalën njeriut më meritor për këtë fitore dhe kryeministrit të ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri.

E kur fjalën e mori Kurti ai ka folur si kryeministër i vendit. Ka premtuar se do të ketë një shtet të drejtë dhe ka premtuar që të mos u hakmerret askujt dhe ka kërkuar që partitë tjera ta përkrahin, raporton Insajderi.

Qindra metra më larg, në Sheshin “Skënderbeu”, disa minuta pasi Kurti ka përfunduar fjalën si “kryeministër i ardhshëm i Kosovës”, e ka marrë fjalën kryeministri tjetër i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Si të tillë, para qytetarëve e ka prezantuar Kadri Veseli, kryetar i PDK-së.

“Së pari, fjala për kryeministrin e ardhshëm”, ka thënë Veseli.

Kur Haradinaj mori fjalën tha se është i gatshëm që si kryeministër i Kosovës të bashkëpunoj me të gjithë.

Por më shumë se Haradinaj dhe më entuziastë foli Kadri Veseli. Ai tha se shumë shpejt Kosova do të formojë Qeverinë e Kosovës me kryeministër Ramush Haradinaj./Insajderi.com