Kosova – ende – s’e ka emëruar koordinatorin për bisedime me Serbinë

Kosova – ende – s’e ka emëruar koordinatorin për bisedime me Serbinë

Ekipi kosovar vetëm pas dy ditësh do të udhëtojë për në Bruksel, ku do të takohet me palën serbe për ta vazhduar dialogun në nivel ekspertësh, megjithatë ende nuk është emëruar Koordinatori i Qeverisë së Kosovës, i cili supozohet të ishte udhëheqës i delegacionit.

Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, i pyetur për këtë nga Insajderi.com, ka thënë se nuk ka emërim të Koordinatorit, rrjedhimisht as emër të tij.

“S’ka emër, s’ka emërim”, është përgjigjur shkurt Tahiri.

Për një gjë të tillë, është ankuar edhe partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje. Nga VV-ja kjo mungesë po konsiderohet si jo-transparencë.

“Koordinatorit i bisedimeve do të fillojë hartimin e marrëveshjes finale, megjithëse sot – dy ditë para udhëtimit në Bruksel – emri i tij vazhdon të spekulohet”, ankohet zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencën për media që zhvilloi gjatë ditës së djeshme, më 20 korrik, ka njoftuar se të enjten në Bruksel do të udhëtojë Koordinatori i Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut.

Hoti në fjalën e tij tha se ky proces ka filluar pas më shumë se 20 muajsh, ndërsa qëllimi final është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve midis të dyja vendeve.

“Ky proces ka filluar pas më shumë 20 muajsh. Ditët e para e kemi qartësuar platformën tonë dhe kemi komunikuar me të gjithë. Është etabluar pozicioni i Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Qëllimi final është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve”, është shprehur Hoti.

“Dialogu është vetëm politik. Të enjten është një takim në Bruksel ku do të jetë Koordinatori për Dialog – të cilin do ta emëroj së shpejti – për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Dialog teknik nuk ka, vetëm politik për njohje reciproke”, ka përfunduar Hoti. /Insajderi.com